Miratohen disa marrëveshje kyçe në Kuvend – përplasje mes pozitës dhe opozitës

Aktuale

Miratohen disa marrëveshje kyçe në Kuvend – përplasje mes pozitës dhe opozitës

Më: 27 prill 2026 Në ora: 08:25 Përditësuar në ora: 16:21 më 27.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Miratohet Komisioni i ri për Provimin e Jurisprudencës, kjo është përbërja

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozim – vendimin për formimin e Komisonit të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

63 deputetë kanë votuar pro, ndërsa 4 ishin kundër.

Përbërja e këtij komsioni është kjo:

Arian Gashi, Kryetar,

Ersan Qavolli,

Lumni Sallauka,

Arsim Hamza,

Anita Prenaj Krasniqi,

Suada Rama Hamza,

Burim Shala,

Nehat Qelaj,

Bujar Muzaqi,

Hysni Ismaili.

Emërimi vjen pas debatit dhe kundërshtimit të ashpër nga deputetët e opozitës, të cilët e konsideruan si shkelje ligjore shkarkimin grupor të anëtarëve paraprak të këtij

U zgjodhën tre anëtarë të KSHC-së, kundër edhe Haxhi Avdyli i VV-së

Më 57 vota për, një kundër dhe katër abstenime, Kuvendi i Kosovës zgjodhi tre anëtarë të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Driton Vela, Florim Gallopeni dhe Shkurtë Bajgora.

Sipas opozitës, emërimi i tyre është kapje e institucioneve të pavarura. E, kësaj radhe kundër votimit ishte edhe deputeti i mazhorancës, Haxhi Avdyli.

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se institucionet po rrezikohen të shndrërrohen në instrumente politike.

Jashari: Institutucionet po rrezikohen të shndërrohen në instrumente politike

“Në vazhdën e këtyre dështimeve të Kurtit sot në këtë seancë jemi të gjithë dëshmitarë të tentativës së qartë për politizim në arsim. Rasti i fundit është përshpejtimi dhe ndërhyrjet në bordet e institucioneve të pavarura si Agjencia e Akreditimit. Institucionet që duhet të jenë nga rendi i cilësisë, të pavarura dhe profesionale fatkeqësisht po rrezikohen të shndërrohen në instrumente politike. Dhe mbi të gjitha ironike, si pikërisht sjelljet: VV-ja ka proklamuar përparime se këto borde duhet të jenë neutrale, sot po shfaqen haptas për kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit”, tha Jashari.

Shefja e grupit parlamentarë të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit.

Lushaku: Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit

“Po flasim për një proces përzgjedhjeje, e cila është jashtë afateve kohore, është bërë vlerësim për 48 orë dhe duke anashkaluar edhe procedurat jo vetëm afatet. Kur e paramendoni për institucionin, për të cilin po flasim, për arsimin po flasim për tentimkapjen dhe politizimin e saj. Tash edhe konkretisht bëhet fjalë për instalimin e njerëzve të partisë së VV-së në këtë bord. Driton Vela ish- kandidat për deputet i tyre. Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit”, tha Lushaku.

Edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja mendon njëjtë. Ajo përmendi edhe qëndrimin dikur të VV-së që institucionet duhet të jenë të pavarura.

Kadrijaj: Keni thënë se institucionet duhet të jenë të pavarura

“Po shihet qartë tendenca e VV-së. Të kujtohen premtimet, me të cilat keni ardhur në pushtet. Të afërmit, militantët e partive politike, jo në dasma e ahengje, këto kanë qenë fjalët e VV-së se keni thënë se institucionet duhet të jenë të pavarura. Po ashtu, keni ardhur me premtimin çkapjen e institucioneve. E çka po bëni ju? Po i kapni rend institucionet edhe këto ditë duke ditur që ka zgjedhje, me procedura të përshpejtuara po sillni ligje”, tha Kadrijaj.

Kësaj radhe kundër ishte edhe deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli. Ai kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një seancë të radhës, nëse jo do të abstenojë ose të votojë kundër.

Sipas tij, me nominimin e tre kandidatëve nuk i bëhet nder Agjencisë për Akreditim.

Avdyli: Nëse kjo vazhdon nuk do të votoj ose do të votoj kundër

“Duke u bazuar në vërejtje të shumë organizatave joqeveritare, monitoruese të arsimit dhe profesionistëve shëndetësorë e arsimorë, unë kisha kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet në një seancë të radhës. Nuk po flas në aspektin as profesional, as politik, por po flas se duke i njohur edhe kandidatët e nominuar, të cilët edhe në aspektin profesional janë shumë më profesional. Nëse kjo vazhdon unë nuk do votoj ose do të votoj kundër. Besoj që nuk i bëjmë nder kësaj agjencie”, u shpreh ai.

Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku iu kundërpërgjigj se jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni.

Çeku: Jemi bashkë në përgjegjësitë shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni

“Unë e kuptoj drejt dhe dua të besoj që shqetësimin e keni përnjëmend. Këtu jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni, siç është Agjencia e Akreditimit. KSHC-ja duhet të jetë funksionale plotësisht me përbërje të plotë dhe ky ka qenë motivi kryesor pse jemi angazhuar. Unë ju siguroj që bashkë me stafin civil dhe të tjerët kemi bërë përpjekje maksimale për të respektuar në plotëni procedurën ligjore”, tha Çeku. 

“Kosovës po ia humbni 9 milionë euro”, Rizvanolli përplaset me partitë opozitare

Projektligji për energjinë elektrike ka përplasur ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me partitë opozitare në seancën e sotme të Kuvendit.

Dështimi i shqyrtimit të projektligjit me shmangie nga afati procedural bëri që ministrja Rizvanolli t’i akuzojë opozitarët, duke thënë se po ia humbin Kosovës nëntë milionë euro, si dhe po ia pamundësojnë reformat në sektorin e energjisë.

Rizvanolli – opozitës: Kosovës po ia humbni nëntë milionë euro

“Po ia humbni shtetit nëntë milionë euro dhe po pamundësoni reformat që, ndër të tjera, mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe të Bashkimit Evropian. Flisni për tregtimin e energjisë që 1 vit dhe 2 vite, mirëpo nuk lejoni pakon e ligjeve që lejon transferimin dhe mundëson integrimin në tregun rajonal dhe t’i heqim tregtarët për të cilët po flisni”, tha ajo.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se ky projektligj është i dëmshëm për vendin, ku shpëtohen qindra miliona euro transaksione, siç tha, të parregullta me tenderë njëburimorë.

Shala: Po shpëtohen qindra miliona euro transaksione të parregullta me tenderë njëburimorë

“Do të isha i lumtur nëse këto ligje nuk miratohen sot, sepse Kuvendit dhe Kosovës do t’i shpëtohen qindra miliona euro transaksione të parregullta me tenderë njëburimorë në sektorin e energjisë”, deklaroi Shala.

Në debat u përfshi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se mazhoranca i ka 66 vota, mirëpo po dështon t’i miratojë ligjet për shkak se nuk po i procedon me kohë në Kuvend.

Bajrami: S’po i sillni me kohë projektligjet në Kuvend

“Ju i keni 66 vota në Kuvend; sikur të bënit punën me kohë dhe afate, absolutisht nuk iu duhen votat e opozitës... Nuk e kemi asnjë obligim të votojmë procedura të përshpejtuara për ligje që ne nuk e kemi sigurinë që implementohen në praktikë”, tha ajo.

Kritika për përmbajtjen e projektligjit adresoi edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Ky projektligj ka probleme serioze

“Ndoshta po humbin nëntë milionë, por ka probleme serioze që ndërlidhen me përmbajtjen”, theksoi ai.

“Përplasje” në Kuvend rreth seancës për presidentin

Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje mes pozitës dhe opozitës lidhur me seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila është caktuar të mbahet sot, në orën 17:00, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën që pritet të nisë në ora 17:00.

“Është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancë dhe deri atëherë të shpresojmë që të kemi emra dhe konsensus për president”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se mungesa e marrëveshjes politike po e çon vendin në një situatë të re.

“Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit”, ka thënë Tahiri.

E, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke thënë se një situatë e tillë nuk është reale.

“Keni shpikur një ngjarje që nuk ekziston, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për presidentin”, është shprehur Kadrijaj.

Kuvendi nuk miraton shmangien e afatit procedural për projektligjin për Energjinë Elektrike

Me 63 vota për, 45 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk miratoi shmangien e afatit procedural për projektligjin për Energjinë Elektrike.

Me këtë rast, deputetët e LDK-së duartrokitën mosmiratimin.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pati kritika rreth procedurave.

“Për shkak të shumë arsyeve që kemi përmendur në seancat e kaluara, por edhe për shkak se një pjesë e procedurave të këtyre ligjeve ka kaluar në dëgjime publike në legjislaturat e kaluara, gjë që bie ndesh edhe me parime të tjera. Pra, nuk kemi dëgjime publike në këtë legjislaturë. Po ashtu, kjo pjesë e ligjit për energjinë elektrike bie ndesh me disa nene të direktivave të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht të Bashkimit Evropian. Për këto arsye, ne do të votojmë kundër”, tha ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, tha se do të votojnë kundër.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, votojmë kundër shmangies, për shkak se ligji ka parime dhe përmbajtje që jo vetëm ndikojnë në sigurinë energjetike, por edhe në sigurinë kombëtare, në lidhje me operatorin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike (KOSTT). Ka njerëz që shqetësohen për këtë çështje dhe nuk janë pjesë e Vetëvendosjes. Për këtë arsye, ne nuk e mbështesim shmangien nga procedura e rregullt përkatëse”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ishte kundër shmangies.

“Sa i përket shmangies, mendoj se si Kuvend, edhe si pozitë edhe si opozitë, treguam pjekuri për urgjencën e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i hequr prapavijat politike, të cilat janë shumë evidente. Mendoj se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk duhet të na mësojë për shmangie, as për këtë ligj e as për ndonjë tjetër. Ne, si parti opozitare, do të detyrohemi të kemi një qëndrim politik për shkak të pakënaqësive në këtë proces, të cilat i elaboruan edhe Ferat Shala dhe Jeta Statovci. Qëndrimi ynë është i qartë: nuk do të mbështesim asnjë shmangie, duke qenë se afati kohor po përfundon dhe nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme. Vendosja në agjendë përmes shmangies nuk do të kalojë dhe do të jetë vetëm humbje kohe”, tha Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, iu përgjigj opozitës, duke thënë se opozita po pengon reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian.

“Dua të falënderoj deputetin Tahiri që e tha të vërtetën: ky është një qëndrim politik, ndryshe nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, të cilat po japin justifikime. Madje, z. Shala tha se konsultimet publike kanë përfunduar para një viti, ndërsa para dy ditësh tha se nuk kanë kaluar fare. Kjo tregon mungesë konsistence. Është e pasinqertë të jepen justifikime të tilla, sepse ato nuk qëndrojnë. Ky është vendimi juaj politik. Po i humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pengoni reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian. Flisni për tregtimin e energjisë, por nuk lejoni pakon e ligjeve që mundëson këtë integrim. Sidoqoftë, qëndrimi juaj është i juaji. Falënderoj deputetët e Komisionit për Ekonomi dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për trajtimin me seriozitet të këtyre ligjeve”, tha Rizvanolli.

Kuvendi i Kosovës miraton tri protokolle shtesë për tregtinë e lirë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe tri pika, të cilat u shtuan si pika të rendit të ditës në fillim të seancës plenare.

Është miratuar projektligji për ratifikimin e Protokollit Shtesë 5 të marrëveshjes për aderimin dhe amendamentin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Me 80 vota për është votuar Projektligji nr. 10/L-038 për ratifikimin e Protokollit Shtesë 6 për tregtinë në shërbime, për Marrëveshjen mbi ndryshimin dhe pranimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Me 91 vota për është votuar ratifikimi i Protokollit Shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, i marrëveshjes për amendamentin dhe aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore.

​Kuvendi miraton katër marrëveshje ndërkombëtare, flet ministrja Kusari-Lila

Kuvendi i Kosovës ka miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit i dhanë dritën e gjelbër marrëveshjes për tregti të lirë mes Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, ku bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, si dhe protokollet 5, 6 dhe 7 të aderimit dhe amendamentimit të marrëveshjes për tregti të lirë të Evropës Qendrore.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja për tregti të lirë me shtetet e EFTA-s do të mundësojë eliminimin e tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale.

Marrëveshja me EFTA-n do të mundësojë të eliminohen tarifat doganore për shumicën e produkteve industriale

“Marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në thellimin e integrimit ekonomik me tregjet e shteteve evropiane me fuqi të lartë blerëse, si dhe standarde të avancuara rregullative. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale”, tha ajo

Miratohet marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s

Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila prezantoi benefitet nga kjo marrëveshje.

“Kjo marrëveshje derivon nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s në fund të vitit 2018 në Gjenevë, e cila në nenin katër hapi rrugë nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë me EFTA-n me 22 janar 2024, në Konferencën Ndërkombëtare të Davosit në Zvicër.

Marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në thellimin e integrimit ekonomik me tregjet e shteteve evropiane me fuqi të lartë blerëse, si dhe standarde të avancuara rregullative. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar në thellimin e bashkëpunimit në liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produkte bujqësore të caktuara, të drejtat e pronësisë intelektuale, vendosjen e rregullave të qarta për origjinën e mallrave, si dhe rritjen e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë. Një komponentë tjetër me rëndësi të veçantë është përfshirja e tregtisë në shërbime, ku në këtë marrëveshje parashihen edhe shërbimet profesionale, shërbimet financiare, shërbimet e transportit, të teknologjisë së informacionit dhe shërbimet turistike“, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Ministri i Sportit, Blerim Gashani derisa prezantoi projektligjin shpjegoi edhe dobitë që sjellë.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, është një arritje strategjike për Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, duke dëshmuar kapacitetin institucional për të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij niveli.

Në këtë kuadër, marrëveshja me Shqipërinë, paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportet e lundrimit, është një zgjedhje logjike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për organizimin e ngjarjeve multisportive.

Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si mikpritëse, por përkundrazi, e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Marrëveshja përcakton qartë ndarjen e përgjegjësive dhe detyrave, ku Kosova si vendi mikpritës mban barrën kryesore financiare për organizimin e lojërave në tërësi. Kjo përfshin mbulimin e shpenzimeve përkatëse organizative dhe logjistike, duke garantuar që standardet e kërkuara ndërkombëtare të respektohen në tërësi“, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Arbnora Saliu tha se e përkrahin këtë projektligj.

“Sa i përket projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, që erdhi për shqyrtim para disa ditëve, ju e dini që ne i kemi dhënë vërejtjet tona lidhur me mënyrën se si janë paraparë procedurat e prokurimit, auditimit, raportimit të shpenzimeve buxhetore si dhe rekrutimit të stafit. Këto vërejtje i kemi adresuar përmes katër amendamenteve. Shqetësimet e njëjta lidhur me këtë projektligj i kanë ngritur edhe zyra e BE-së në Kosovë. Megjithatë, shumica këtu, kjo shumicë e deputetëve kanë qenë kundër amendamenteve të propozuara nga ne dhe fatkeqësisht projektligji ka kaluar në formën fillestare.

Sot ne e kemi sjellë për votim projektligjin numër 10 L-040 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Këtu parashihet bashkëpunimi me Shqipërinë për zhvillimin e disa prej garave të sporteve ujore në Durrës.

Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare, ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështesim“, tha ajo.

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Adelina Thaçi tha se kanë ngritur shqetësimet e tyre për këtë por se mbështesin marrëveshjen.

“Si anëtare e Komisionit për Kulturë, kam ngritur shqetësimet e mia sa i përket marrëveshjes ndërshtetërore, por Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë marrëveshje ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizimin e tyre, natyrisht si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare që është në interesin e vendit“, tha ajo.

Edhe, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka përkrahur, të njëjtën.

“Unë konsideroj që është e një rëndësie të veçantë dhe na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosovë-Shqipëri, duke e ditur se nga kjo qeveri kanë munguar në vazhdimësi bashkëpunimet me Republikën e Shqipërisë“, tha ajo.

Nis seanca e Kuvendit, shtohen disa pika në rend dite

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca plenare, me propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje që rendit të ditës t’i shtohen edhe disa pika të tjera, që kanë të bëjnë me votime të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Propozimet e Nagavcit si shefe e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u mbështetën nga PDK-ja, ndonëse, Arian Tahiri, që drejton grupin e deputetëve të PDK-së, tha se nuk është kulturë e mirë e punës kjo praktikë që, sipas tij, të vijnë propozime jashtë procedurave.

Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e deputetëve të LDK-së, tha se  ata kanë përkrahur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, meqë konsiderojnë që gjithçka që është në dobi të shtetit e që është e rëndësishme, të marrin aprovimin e Kuvendit.

Por, tha ajo, praktika që të merren vendime, sipas saj, duke u anashkaluar procedurat, është në dëm të cilësisë të ligjbërjes nga Kuvendi.

“Nuk e di se çka do me thënë kjo, përveçse po na qoni drejt zgjedhjeve”, tha Lushaku-Sadriu.

Besnik Tahiri i AAK-së, foli shkurt, duke thënë se si parti mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, pas konsultave me shefat e grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se sot do të bëhet edhe miratimi i programit të sesioneve të punës së Kuvendit, obligim, sipas saj, që del nga Plani i Rritjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat