U.D. Presidentja Haxhiu dekretoi 17 gjyqtarë me mandat fillestar

Aktuale

U.D. Presidentja Haxhiu dekretoi 17 gjyqtarë me mandat fillestar

Më: 6 maj 2026 Në ora: 17:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të mërkurën 17 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se dy nga 17 gjyqtarët e dekretuar janë të komunitetit serb. Në mesin e gjyqtarëve që u dekretuan nga komuniteti serb ishte edhe Igor Stojkovic, i cili ka qenë i angazhuar si jurist në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nga gjyqtarët e dekretuar, 15 janë nga komuniteti shqiptar dhe 2 nga komuniteti serb. Gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se U.D. Presidentja Haxhiu me këtë rast theksoi se marrja e detyrës së gjyqtarit është përgjegjësi e madhe publike, sepse vendimet gjyqësore prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Ajo uroi që gjatë mandatit të tyre gjyqtarët të jenë të pavarur nga çdo ndikim politik, financiar apo personal, duke theksuar se drejtësia nuk negociohet”, njofton Presidenca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat