Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, ka reaguar lidhur me deklaratat kërcënuese ndaj kryeministrit, duke kërkuar që ato të trajtohen seriozisht nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
Halimi tha se kërcënimi ndaj kryeministrit përbën kërcënim ndaj shtetit dhe se raste të tilla hyjnë në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë nacionale
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat që, sipas tij, krahasojnë trajtimin e serbëve në Kosovë me periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke i cilësuar të papranueshme.
Postimi i plotë:
Me të vërtetë duhet të konsiderohen shumë serioze këto kërcënime, nga kushdo që vijnë, qofshin nga këta apo nga Batoni!
Kryeministri i vendit është figurë kyçe e shtetit, kërcënimi ndaj tij është kërcënim ndaj shtetit. Edhe nëse këto kërcënime mbeten vetëm deklarative, ato duhet të trajtohen me fuqinë e ligjit dhe forcën e masave. Këto akte hyjnë në mesin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë nacionale!
Prandaj, është e pafalshme të tolerohen. Natyrisht, zërat se shteti i Kosovës po u bën serbëve njësoj sikurse pushteti i Millosheviqit shqiptarëve, as që do të duhej të guxonin të mendoheshin, lëre më të deklaroheshin!