Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, ekspertja flet për kufizimet në audio dhe interpretimet e ZPS-së

Aktuale

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, ekspertja flet për kufizimet në audio dhe interpretimet e ZPS-së

Më: 12 maj 2026 Në ora: 08:37 Përditësuar në ora: 12:44 më 12.05.2026
Ekspertja Helen Fraser

​Ekspertja australiane në Speciale tregon në çka i mbështeti pretendimet e saj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila është dëshmitare e mbrojtjes. Ekspertja nga Australia deklaroi se raporti i saj bazohet në një përqindje të vogël të audiove që i ka dosja gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerët në rastin “kundër administrimit të drejtësisë“.

Ekspertja e linguistikës forenzike edhe sot po vazhdon t’iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa të akuzuarit seancën e sotme po e ndjekin përmes video-lidhjes.

Gjatë marrjes në pyetje prokurori i specializuar e pyeti eksperten e linguistikës forenzike, Helen Fraser, nëse mbrojtjes së Hashim Thaçit i kishte dorëzuar ndonjë version paraprak para raportit final, dhe ajo konfirmoi se kjo kishte ndodhur.

Më pas, prokurori, Joshua Hafetz tha se ekspertja Helen Fraser kishte analizuar vetëm tetë audio-incizime, më pak se 3% të materialit total. Ai theksoi se kjo do të thotë se ajo nuk ka njohuri për 97% të pjesës tjetër të dosjeve audio, gjë me të cilën Fraser u pajtua.

Hafetz: Ju nuk dini asgjë për 97% të audiove në këtë dosje gjyqësore

“Në raportin tuaj thuhet se keni marr në total thjesht 8 dosje me audio që është më pak se 3%... Fraser: S’kam bërë llogari, por në rregull... Hafetz: Po kështu mund të jetë... Fraser: Po... Hafetz: Pra i bie që ju nuk dini asgjë për 97% e mbetur të dosjeve audio në këtë dosje gjyqësore... Fraser: Po”, tha ajo.

Dëshmitarja e mbrojtjes më tej deklaroi se pretendimet e raportit të saj janë të bazuara në materialin e vizitave të 3 dhe 6 shtatorit 2023 që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Fraser: Pretendimet e mija i kam mbështetur në dy vizita

“Këtë material kam pas në dispozicion dhe më është thënë se këto materiale ishin përfaqësuese, unë nuk kam parë materiale të tjera dhe pretendimet e mija i kam mbështetur në këto dy vizita”, u shpreh ekspertja.

Prokurori, Joshua Hafetz karshi dëshmitares sot adresoi pyetje edhe rreth komenteve që ajo ka bërë në raportin e saj sa i përket transkriptimit të zhurmës së letrave.

Ekspertja e linguistikës forenzike deklaroi se ata tinguj kanë shkuar përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme.

Hafetz pyet eksperten rreth transkriptimit të zhurmës së letrës

“Ju thoni që në transkript ka shumë komente kontekstuale mes të cilave edhe komente lidhur me zhurmën e letrave... Fraser:Unë e kuptoj ku është keqkuptimi, unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë se mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash, por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta personat që ktheheshin faqe dhe si e kanë dalluar këtë gjë...Hafetz:Pra, ju thoni që nuk mund të transkriptohet tingulli si tingulli i kthimit të fletëve... Fraser: Është çështja tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm e disa jo mendoj se është e vështirë të kuptohet se çfarë vërtetë mund të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është e vështirë... Hafetz: Po ju jeni personi që keni thënë këto fjalë objektivisht i transkriptueshëm tani ju s’po kuptoni terminologjinë tuaj....Fraser: Kam thënë shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme..Hafetz:E keni problem vetë termin që keni përdorur objektivisht e transkriptueshme në raportin tuaj...Fraser: Jo nuk jam kundër kësaj që kam thënë nuk po e hedh poshtë”, ishte diskutimi mes tyre.

Nëdrsa, në pyetjen e e ZPS-ë, lidhur me atë nëse transkriptuesi i tyre ka qenë objektiv dhe a ka shënuar mirë tingullin e zhurmës së letrës, këtë më pas e konfirmoi vetë ekspertja.

Hafetz: Transkriptuesi i ZPS-së a ishte objektiv kur shënoi në transkripit tingullin e zhurmës

“A mendoni se një transkriptues i ZPS-së e ka shënuar siç duhet transkript tingullin e zhurmës së letrës siç e kanë dëgjuar a mendoni se kanë qenë objektiv... Fraser: Po”, u shprehen ata.

Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila dje ka nis dëshminë e saj në Speciale gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi deklaroi se kishte përdorur Inteligjencën Artificiale për transkriptim të audiove që u janë ofruar në dispozicion nga mbrojtja e Thaçit.

Në këtë rast gjyqësor, nën akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.

Nga mbi 300 dosje të audiove, ekspertja thotë se ka përfshirë një numër të vogël në raportin e saj

Dëshmitarja Helen Fraser duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë pranoi se ka marrë një përqindje të vogël të dosjeve të audiove nga mbrojtje e Hashim Thaçit për analizim, e që pastaj janë përfshirë në raportin e saj lidhur me interpretimin e tingujve.

Përpara kësaj, prokurori Joshua Hafetz i tha dëshmitares së në këtë çështje gjyqësore janë pranuar në prova 348 dosje të audiove që mbulojnë 28 orë të audio-incizimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por sipas prokurorit, dëshmitarja ka thënë në raport që ka marrë vetëm tetë dosje audio ose përreth kësaj shifre. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo i bie që në raportin e saj janë përfshirë më pak se 3% e dosjeve të audiove.

Pas kësaj, Hafetz pyeti dëshmitaren se a i bie kjo që ajo nuk di asgjë lidhur me 97% e mbetur të audiove në këtë çështje gjyqësore. Lidhur me këtë, Helen Fraser e pohoi.

Por, ajo tha se nuk e ka pyetur mbrojtjen e Thaçit që t’i japë më shumë dosje të audiove për t’i përfshirë në raportin e saj.

Përveç kësaj, ajo tha se nuk i kujtohet se çfarë udhëzimesh dhe pyetjesh i bëri mbrojtja e Thaçit të cilat më pas sollën raportin e Fraser.

Ndër tjerash, ajo tha se me mbrojtjen ka komunikuar përmes zoom, e po ashtu edhe përmes e-mailit.

Fraser shtoi se mbrojtja i ka thënë që këto materiale që janë nga vizita e 3 shtatorit dhe ajo e 6 tetorit 2023, janë përfaqësuese.

“Unë nuk kam pasur materiale tjera dhe përfundimet e mia i kam mbështetur në këto dy vizita”, tha Fraser.

Dëshmitarja për transkriptat e ZPS-së: Disa interpretime të tingujve shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertja Helen Fraser në gjykimin në të cilin Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë kundërpyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, dëshmitarja Fraser tha se disa interpretime që u janë bërë tingujve në transkriptat e Prokurorisë shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha ajo.

Përpara kësaj, pyetjet prokurori i nisi duke thënë se Fraser në raport thotë se transkriptat përmbajnë shumë komente kontestuese lidhur me personat që hyjnë dhe dalin nga dhoma, interpretim të tingujve të ndryshëm si fëshfërima të letrave apo tinguj të kthimit të faqeve dhe të gjitha këto shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme nga vetë audio.

Ndërsa, për sa i takon zhurmës së letrës për të cilën ka shkruar ekspertja në raportin e saj, Hafetz pyeti se kjo pjesë a pajtohet se nuk vlen dhe është e pasaktë.

Por, në pyetje paqartësi pati ekspertja dhe prokurori vazhdoi me sqarim ndërkohë që përgjigja e Fraser ishte se është dakord me atë që ka shkruar në atë paragraf.

“Nuk e kuptoj këtë. Mbase unë po keqkuptoj. Nuk mund të them që nuk jam dakord me këtë që kam shkruar në paragrafin e fundit”, tha ajo.

Veç kësaj, sa i përket zhurmës së letrave për të cilën flet transkripta e Prokurorisë, Fraser tha se është e paqartë se nga e dinin përkthyesit e ZPS-së që po ktheheshin faqet, pra si e kanë dalluar.

“Unë e kuptoj ku është keqkuptimi. Unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë që mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta persona që ktheheshin faqet, që ktheheshin fletët, si e kanë dalluar këtë gjë”, tha ajo.

Më pas, prokurori pyeti se a është duke thënë dëshmitarja që nuk mund të transkriptohet tingulli si tingull i kthimit të fletëve.

“Është çështje tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm dhe disa jo. Mendoj që është  e vështirë të kuptohet se çfarë është vërtetë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është i vështirë”, tha ajo.

Fraser shtoi se për këtë pjesë ka thënë që shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme dhe jo që është objektivisht e transkriptueshme.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu ësht ëbërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha ajo.

Ndërsa, kur u pyet se a qëndron edhe kjo për zhurmën e letrës, Fraser u përgjigj se nëse dëgjon një fëshfërimë si mund të dihet që është tingull i një letre apo një zhurme tjetër.

Pas kësaj, Fraser u pyet se a mendon që transkriptuesit e ZPS-së e kanë shënuar në transkriptë tingullin e zhurmës së letrës siç e kanë dëgjuar dhe kanë qenë objektiv. Ajo u përgjigj me po.

Të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës

Vazhdon në Hagë seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, nga e hëna deri të premten do të mbahen seanca gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në seancën e djeshme, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka dëshmuar ekspertja Helen Fraser. Kjo dëshmitare do vazhdojë dëshminë edhe sot.

Ekspertja Fraser dje dëshmoi rreth transkriptimit të audiove nga vizitat në qendrën e paraburgimit. Me këtë rast, ajo tha se mbështetja në transkriptet e ZPS-së nga audiot e vizitave në qendrën e paraburgimit është e ulët.

Helen Fraser- dëshmitare e thirrur nga mbrojtja e Thaçit, ritheksoi se nuk mund të mbështetesh në ato transkripte të ZPS-së si të sakta.

Prokurori Joshua Hafetz, tha se ekspertja ka pohuar që problematike ishte numri i mjaftueshëm i burimeve dhe materialet e ç’organizuara. Sipas prokurorit, procesi i verifikimit u quajt nga dëshmitarja si “eksperiment jo i mirëkontrolluar”.

Ekspertja tha se mendon që Njësia e përkthimeve ka bërë versionet finale që janë sugjeruar nga gjykatësi.

Në kuadër të këtij rasti, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan në Kosovë më 5 dhjetor 2024 dhe një ditë më pas u transferuan në paraburgimin e Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës dhe urdhërarresteve nga Gjykata Speciale.

Po atë ditë, edhe Hashim Thaçi mori zyrtarisht fletarrestimin në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku tashmë ndodhej për procesin tjetër gjyqësor.

Ndërkohë, Hajredin Kuçi u njoftua me aktakuzën dhe urdhrin për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vepruar individualisht dhe në bashkëpunim për të ndikuar ose penguar zyrtarët në ushtrimin e detyrave të tyre.

Në paraqitjen e parë para gjykatës, më 27 shkurt 2026, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat