Xhandarmëria si model i ri sigurie: Kurti dhe Sveçla zbulojnë planin për forcimin e kufijve dhe reagimit shtetëror

Aktuale

Xhandarmëria si model i ri sigurie: Kurti dhe Sveçla zbulojnë planin për forcimin e kufijve dhe reagimit shtetëror

Nga: Bota sot Më: 28 maj 2026 Në ora: 12:58 Përditësuar në ora: 13:17 më 28.05.2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

A do të jetë KFOR-it pjesë e grupit punues për xhandarmërinë? Flet Sveçla

Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, është deklaruar lidhur me formimin e xhandarmerisë, duke thënë se lidhur me krijimin e saj, do të ‘’bisedohet’’ edhe me akterët e tjerë.

I pyetur se a do të jetë edhe KFOR’it pjesë e grupit punues, ai ka deklaruar se pjesë e këtij grupi, do të jenë përfaqësues nga institucionet e vendit, si nga MPB dhe Policia.

‘‘Pjesë e grupit punues janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pastaj edhe nga Policia, dhe të gjitha institucionet e tjera që merren me sigurinë.

Në vazhdimësi ne do të bisedojmë me të gjithë akterët e tjerë, në mënyrë që, të gjitha idetë, sugjerimet, apo modelet të cilat mund të inkorporohen në kuadër të xhandarmerisë ti kemi parasysh’’, ka deklaruar ai. 

Sveçla: Xhandarmëria synon forcimin e kufirit dhe rritjen e reagimit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se është themeluar grupi punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për krijimin e xhandarmërisë, me qëllim forcimin e vijës kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të nivelit të lartë.

Në një konferencë për medie, Sveçla tha se grupi punues po analizon aspektet ligjore, financiare dhe operacionale për themelimin e xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një ligji të veçantë.

Ai theksoi se funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion dhe detyrat tjera policore.

Sveçla shtoi se grupi punues ka për detyrë të propozojë mënyrën e rekrutimit të pjesëtarëve të xhandarmërisë, si dhe të shqyrtojë praktikat ndërkombëtare të krijimit të forcave të ngjashme, me theks të veçantë te vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Qasja jonë do të jetë profesionale, transparente dhe e koordinuar me të gjitha institucionet relevante të sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi Sveçla.

Ai theksoi se çdo rekomandim do të mbështetet në analiza konkrete të nevojave operative, kapaciteteve ekzistuese dhe standardeve demokratike të kontrollit civil dhe institucional.

Sveçla bëri të me dije se procesi do të zhvillohet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse dhe në respektim të parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional.

Po ashtu ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë avancimin e kapaciteteve moderne të sigurisë në përputhje me standardet euro-atlantike dhe nevojat reale të sigurisë së qytetarëve

Kurti paralajmëron sfida të reja të sigurisë dhe propozon Xhandarmërinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend dhe në nivel global po ndryshon me shpejtësi, duke theksuar se kërcënimet aktuale kërkojnë qasje të re dhe më të avancuar institucionale.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se sfidat e sigurisë nuk janë më të njëjta si në të kaluarën, duke përmendur grupe të armatosura, kontrabandën ndërkufitare dhe përdorimin e teknologjive moderne si faktorë rreziku.

“Gjendja e sigurisë në nivel global, rajonal, por edhe në Republikën e Kosovës po evoluon me shpejtësi. Sfidat kryesore përfshijnë grupet e armatosura me organizim paraushtarak dhe kontrabandën e vazhdueshme me armë dhe mallra përgjatë vijës së gjelbër kufitare”, ka deklaruar Kurti, në një konferencë për media të enjten, së bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Ai ka shtuar se janë evidentuar edhe forma të reja kërcënimi që lidhen me teknologjinë dhe infrastrukturën kritike.

“Mandej, infiltrim i strukturuar i grupeve të armatosura, përdorimi i teknologjive moderne, veçanërisht dronëve, si dhe mbikëqyrja e terrenit dhe infrastrukturës kritike”, është shprehur ai.

Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë punë të madhe, por sipas tij mandati i saj ka kufizime në përballjen me rreziqe të nivelit më të lartë.

“Policia e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ajo ka mandat sigurimin e rendit publik, parandalimin dhe hetimin e krimit”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe disa nga sulmet e viteve të fundit në veri të vendit, përfshirë sulmin në Banjskë dhe incidente të tjera ndaj institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, në veçanti në veriun e vendit, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.

Në këtë kontekst, ai ka propozuar themelimin e një strukture të re të sigurisë, Xhandarmërisë, e cila sipas tij do të mbushte boshllëkun mes Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo strukturë do të ketë mandat të qartë në disa fusha kyçe të sigurisë.

“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacione kundër grupeve të armatosura, luftimi i kontrabandës ndërkufitare dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, ka shtuar ai.

Kurti ka theksuar se modeli i Xhandarmërisë bazohet në praktikat evropiane, duke përmendur disa shtete që kanë struktura të ngjashme.

“Modeli i Xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane, si në Francë, Itali, Turqi, Spanjë dhe Portugali”, ka thënë ai.

Sipas tij, grupi punues për këtë iniciativë tashmë është duke punuar dhe propozimi pritet të dërgohet në Kuvend pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Grupi punues është duke analizuar të gjitha aspektet e formimit të Xhandarmërisë. Themelimi i saj do të bëhet me ligj të veçantë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat