Vetëvendosje në festë pas zgjedhjeve: Kurti flet për dekadën e qeverisjes; Konjufca uron ‘Qeverinë Kurti 4’

Aktuale

Vetëvendosje në festë pas zgjedhjeve: Kurti flet për dekadën e qeverisjes; Konjufca uron ‘Qeverinë Kurti 4’

Nga: H.O. Më: 7 qershor 2026 Në ora: 21:54 Përditësuar në ora: 00:16 më 08.06.2026
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kurti: Do të bisedojmë, takojmë e bashkëpunojmë me të gjitha partitë politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para mbështetësve të kësaj partie në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka uruar simpatizantët për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e Lëvizjes në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti para një numri të madh qytetarësh.

Ai ka vlerësuar se rezultati zgjedhor përbën konfirmim se kjo dekadë do të jetë dekadë e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të gjithë garojnë, por vetëm ne fitojmë”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka falënderuar mbështetësit për besimin e dhënë edhe në këtë cikël zgjedhor, duke theksuar se sfidat e deritanishme janë tejkaluar.

“Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt”, ka thënë ai.

Kurti ka siguruar qytetarët se “shteti është në duar të sigurta”, ndërsa ka deklaruar se puna e institucioneve ekzekutive do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Më keni mua si kryeministër dhe e keni zonjën Haxhiu si presidente. Ne nga nesër në ora 08:00 do të jemi në punë. Kosovës i mungon Kuvendi, jo qeveria e presidenca”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë takime me të gjitha subjektet politike, duke theksuar se prioritet mbetet interesi i qytetarëve.

“Do t’i takojmë të gjitha subjektet politike, pasi ne para së gjithash e shohim interesin e qytetarit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti: U dëshmua se kjo është një dekadë e qeverisjes së Vetëvendosjes

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në tubimin e fitores në sheshin “Skendërbeu” në Prishtinë ka thënë se kjo dekadë i takon qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Tash ka shtet për krejt e ne jemi krejt për shtet.

Numri 116 ishte fitues më 28 dhjetor, numri 116 është sërish fitues. Faleminderit që ia keni qit pikën numrit 116”, tha ai para simpatizantëve të partisë.

Ai ka cilësuar se fitorja e sotme dëshmon që dekada “i përket qeverisjes së Vetëvendosjes”, duke thënë se ky subjekt politik ka arritur të fitojë pesë palë zgjedhje.

Konjufca: Unë mund t’ju them urime Qeveria ‘Kurti 4’

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim në qendër të Prishtinës pasi kanë dalë të parët në zgjedhjet e 7 qershorit.

Glauk Konjufca ka marrë fjalën duke falendëruar qytetarët që e kanë votuar LVV-në në zgjedhje.

Ai ka konsideruar se çështja e krijimit të qeverisë së re është punë e kryer dhe se Kurti do të jetë përsëri kryeministër.

“Faleminderit që sot ja keni qitë pikën. Urime qeveria Kurti 4”, ka delaruar Konjufca.

Vetëvendosje bën thirrje për të festuar: Ia qitëm pikën edhe një herë!

Lëvizja Vetëvendosja në një postim në Facebook ka ftuar gjithë qytetarët për tu mbledhur në sheshin Skenderbeu, në orën 23.00.

Aty do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Shihemi sonte në ora 23.00 në sheshin Skënderbeu bashkë me Kryeministrin Albin Kurti.

Krejt për shtet

Shtet për krejt

Ia qitëm pikën edhe një herë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat