​Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj Snezhana Paunoviqit

Aktuale

​Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj Snezhana Paunoviqit

Më: 16 korrik 2026 Në ora: 16:15
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Në profilin e saj zyrtar, Gërvalla bëri të ditur se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.

Ajo tha se deklarata të tilla mbajnë pasoja të rënda historike të luftës së fundit në Kosovë.

“Sot kam deponuar kallëzimin penal ndaj Snezhana Paunoviqit. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore. Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Gërvalla.

Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe "Kurir" në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

Paunoviqin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas deklaratës së saj, ka shpallur të njëjtën person non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat