Haxhiu uron që më 6 gusht të ketë kuvend, zbulon a pritet të ketë marrëveshje me LDK-në

Aktuale

Haxhiu uron që më 6 gusht të ketë kuvend, zbulon a pritet të ketë marrëveshje me LDK-në

Më: 31 korrik 2026 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 11:54 më 31.07.2026
Albulena Haxhiu

A pritet të ketë marrëveshje me LDK-në, flet Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes që pati me përfaqësues të partive politike tha se ajo shkoi “mirë e mbarë” dhe se u dakorduan për çështjet procedurale për seancën konstituive të 6 gushtit.

Ajo njoftoi se në këtë seancë synohet të zgjidhet kryetari apo kryetarja e parlamentit dhe nënkryetarët .

E pyetur më pas nga gazetarët nëse, duke i pasë numrat Lëvizja Vetëvendosje për kuvend e qeveri, a do të thirret menjëherë seancë e re për këtë, si dhe për zgjedhjen e presidentit.

“A pritet marrëveshje, me LDK-në të paktën”, u pyet Haxhiu.

Për seancë të re s’u përgjigj, por ngjarjen e djeshme në LDK e konsideroi lajm të mirë.

“Është lajm i mirë që kemi pasë mbledhje të LDK-së dje. Pra, është lajm i mirë që tash mund të vazhdojnë takimet sepse ato ishin të pezulluara deri në sqarim të situatës. S’është në mandatin tim të flas për këtë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë, pra të thirren dhe të mbahen. Të ketë përpjekje maksimale dhe seriozitet dhe që të arrihet një marrëveshje që të zgjidhet presidenti”.

Haxhiu tha se partia e saj ende s’e ka caktuar se kush do të propozohet për të parin e kuvendit.

Haxhiu: Uroj që më 6 gusht të kemi kuvend

Kryeparlamentarja njëherit ushtruesja e detyrës së presidnetes së vendit Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje lidhur me takimin me përfaqësuesit e partive politike, duke konfirmuar hapat e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu bëri të ditur se, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik, është thirrur seanca e parë e kuvendit në përputhje me Kushtetutën.

“Më 8 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Në bazë të kësaj, presidenti i Republikës së Kosovës, në kuadër të kësaj, thirri mbledhjen e parë të kuvendit. Në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive do të mbahet, më 6 gusht, në orën 10:00.

Rendi i ditës i seancës konstituive, sipas rregullores, ka katër pika:  Formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e e kourumit dhe të mandateve, Shqyrtimi i raportit të tij, betimi i deputetëve, dhe Zgjedhja e kryetarit apo kryetares së kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Administrata e kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve dhe, siç e dini, regjistrimi i deputetëve do të bëhet më: 3 gusht për Lëvizjen Vetëvendosje, 4 gusht për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe 5 gusht për Aleancën dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu.

​Nis takimi i Haxhiut me përfaqësuesit e partive politike për seancën konstituive

Ka nisur takimi i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, me kryetarët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në kuadër të përgatitjeve për seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe ka filluar në orën 11:00.

Takimi synon koordinimin ndërmjet subjekteve politike për vazhdimin e procesit të konstituimit të legjislaturës së re.

Ky takim zhvillohet në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi politik, ndërsa mbetet të shihet nëse partitë do të arrijnë ndonjë dakordim për hapat e ardhshëm të procesit.

Haxhiu mbledh sot liderët e partive politike

Kryetarja e Kuvendit, njëherësh u. d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar për sot një takim me kryetarët e subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në legjislaturën e re.

Mbledhja do të nisë në orën 11:00 dhe synon përgatitjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar më 6 gusht.

Në rend dite të seancës konstituive parashihen formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

“Rendi i ditës: Përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kuvendit të Kosovës.

Sipas procedurave parlamentare, mbledhjen përgatitore e thërret kryetari i legjislaturës së kaluar, ndërsa seanca konstituive drejtohet nga deputeti më i moshuar, i asistuar nga deputeti më i ri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat