“Kemi mbetur pa bukë e ujë në mes të malit” – mërgimtarët bllokohen mbi 15 orë në kufirin Mal i Zi – Kroaci
Kanë kaluar më shumë se 15 orë që kur qindra bashkatdhetarë kanë mbetur të bllokuar në kolonat disa kilometra të gjata në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi.
Sipas informacioneve të siguruara nga media, problemet teknike në procesin e verifikimit gjatë kontrollit kufitar po shkaktojnë vonesa të mëdha dhe po ngadalësojnë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Mërgimtarët, të cilët janë nisur drejt Kosovës për pushime, thonë se po përballen me kushte të vështira, pasi shumë prej tyre kanë kaluar rreth 18 orë në kolonë.
“Prej më shumë se 18 orësh jemi duke pritur. Ndodhemi në mes të malit dhe kemi mbetur pa ujë e pa ushqim, pasi në këtë zonë nuk ka markete ku mund të furnizohemi”, ka deklaruar një mërgimtar, i cili ka dashur të mbetet anonim.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj situate dhe lehtësimin e qarkullimit në kufi.
---
Janë bërë më shumë se 12 orë prej kur bashkatdhetarët tanë kanë ngecur në kolonën disa-kilometrike në kufirin Kroaci – Mali i Zi.
Çështjet teknike në procesin e verifikimit në kontrollin kufitar janë duke ngadalësuar qarkullimin.
Qindra mërgimtarë që po vijnë në atdhe kanë ndarë eksperiencat e tyre me io, duke treguar se kanë prej mëngjesit që po presin.
“Ka 12 orë që jemi duke pritë në kolonë, as vet s’e di sa është ba kolona mbrapa. Domethënë, për 15 km deri në cak, prej mëngjesit jemi duke pritë. Se çka kanë, një Zot e din, dhe u mbyten duke i dënu njerëzit. Ka fëmijë, pleq, gra e njerëz të sëmurë. Ka edhe plot që janë duke qëndruar pa ushqim” deklaroi një bashkatdhetarë, në kushte anonimiteti.