Makolli pyet: Pse asnjëri nga gjashtë deputetët nuk u propozua për president?

Aktuale

Makolli pyet: Pse asnjëri nga gjashtë deputetët nuk u propozua për president?

Nga: A.SH Më: 2 shtator 2026 Në ora: 13:21
Deputetët e LDK-së

Analisti politik Vesel Makolli ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth kandidaturës për president të Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh për mënyrën se si është përzgjedhur kandidati për këtë pozitë.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Makolli ka vënë në pikëpyetje faktin se pse nga gjashtë deputetët e paraqitur në një fotografi nuk është propozuar asnjëri për president, duke argumentuar se, sipas tij, ata kanë përvojë më të madhe politike, institucionale, diplomatike dhe në LDK sesa kandidatura e propozuar.

Shkrimi i tij i plotë:

Pse asnjëri nga gjashtë deputetët në foto nuk u propozua për Kryetar të Kosovës?

Të gjashtë deputetët që po i shihni në foto kanë premisa shumë më të mëdha në çdo lëmi, e në veçanti sa i përket përvojës në LDK, në politikë, diplomaci dhe përfaqësim institucional, sesa i propozuemi për President, Bekim Sejdiu.

Secili prej tyre ka një përvojë politike dhe institucionale të konsoliduar, njohje më të thellë të funksionimit të shtetit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe një profil që do të mund t’i jepte më shumë peshë dhe seriozitet pozitës së Presidentit të Republikës.

Prandaj, është e arsyeshme të shtrohet pyetja: pse, nga gjithë kjo përvojë dhe kapacitet që ekziston brenda LDK-së, u zgjodh pikërisht kjo kandidaturë për President, e që nuk është as pjesë e LDK-së.

Pse Vjosa Osmani e propozoi këshilltarin e saj për President, e jo Janina Ymerin?

Janina Ymeri, për nga përvoja në LDK, politikë, diplomaci dhe përfaqësim institucional, kishte premisa të forta për këtë pozitë. Për më tepër, duke pasur parasysh se Presidentja Osmani e ka vendosur fuqizimin dhe përfaqësimin e gruas në politikë si një nga shtyllat e diskursit të saj politik, do të ishte e arsyeshme të pritej që një kandidate grua me një profil të tillë të kishte përparësi.

Në rrethanat aktuale, një zgjedhje e tillë do të mund të ishte edhe më në favor të Kosovës, si në aspektin e përfaqësimit të brendshëm, ashtu edhe në atë të imazhit dhe përfaqësimit ndërkombëtar.

Prandaj, pyetja mbetet: pse u zgjodh këshilltari i saj dhe jo Janina Ymeri?

Pse z. Abdixhiku nuk u konsultua fillimisht me deputetët e tij, e sidomos me ish-Kryeministrin më të suksesshëm të Kosovës, Abdullah Hotin?

Pse, në bisedimet me Kurtin, Abdixhiku nuk shkoi me Abdullah Hotin, si një nga figurat kryesore dhe më të dëshmuara të partisë, por me Vjosa Osmanin, e cila nuk është më anëtare e LDK-së?

Madje, është e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse është e arsyeshme që vendimmarrja e LDK-së të ndikohet nga një person që tashmë është jashtë strukturave të partisë dhe që, sipas shumë anëtarëve e simpatizantëve të LDK-së, ka pasur rol kryesor në përçarjen dhe dobësimin elektoral të saj, deri në rënien në 13%.

LDK-ja duhet të konsultojë dhe të dëgjojë së pari njerëzit e saj, deputetët e saj dhe figurat që kanë bartur përgjegjësi dhe kanë dhënë kontribut ndër vite për këtë parti.

Nëse synimi është forcimi i LDK-së, atëherë vendimet e saj duhet të merren brenda saj dhe në interes të saj, jo duke ia deleguar peshën politike dikujt që nuk është më pjesë e saj.

Abdixhiku dhe Osmani, të verbuar nga qëllimi për ta ruajtur pushtetin, janë duke e luajtur vallen e orkestruar nga Kurti. Ai, duke e prolonguar krijimin e institucioneve, po tenton t’i shmanget përgjegjësisë që ka marrë përmes marrëveshjeve ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Duke e shfrytëzuar një opozitë të dobët, Kurti po e luan lojën e tij dhe po ua faturon opozitës, në këtë rast LDK-së, përgjegjësinë për bllokadën institucionale.

Por, mbi të gjitha, synimi kryesor i Kurtit duket se është tjetërkund: nëpërmjet Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit, ai po tenton ta dobësojë LDK-në deri në atë pikë sa t’ia "ngjesin" drynin dhe ta dërgojnë në histori.

Një LDK e dobësuar ose e zhdukur nga skena politike do t’i hapte rrugën realizimit të projekteve politike që Kurti nuk ka mundur t’i realizojë përballë saj.

Kjo nuk është thjesht një lojë për pushtet. Është një betejë për të ardhmen politike të Kosovës dhe për atë se çfarë Republike do të ndërtojmë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat