Ҫfarë kishte deklaruar Jakup Krasniqi për ‘Bota sot’ para nisjes për Hagë?

Aktuale

Ҫfarë kishte deklaruar Jakup Krasniqi për ‘Bota sot’ para nisjes për Hagë?

Nga: H.O. Më: 15 shtator 2026 Në ora: 20:16
Jakup Krasniqi

Në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, vetëm pak ditë para nisjes për Hagë, Jakup Krasniqi kishte folur për akuzat ndaj Hashim Thaҫit dhe Kadri Veselit.

Poashtu, i pyetur se ‘keni qenë vetë pjesë e luftës, a mendoni se duhet të gjykohen në këtë mënyrë pjesëtarët e UҪK-së?’ Krasniqi kishte thënë se, ‘nuk po gjykohet UCK-ja, pjella e saj – Republika e Kosovës’.

Një pjesë e intervistës:

“Bota sot”: Si i vlerësoni arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale?

Jakup Krasniqi: Qëndrimi im është i ditur që nga dhjetori i vitit 2010. Dhomat e

Specializuara kanë vështirësi për t’u marrë me përgjegjësinë e një mashtrimi të madh që rrënjët i ka në Beogradin e politikave gjenocidale! Prandaj duhet ta arsyetojnë disi kohën pesëvjeçare. Për këtë më mirë është t’i pyetni ata që e votuan dhe e kërkuan votimin e saj.

“Bota sot”: Keni qenë vetë pjesë e luftës, a mendoni se duhet të gjykohen në këtë mënyrë pjesëtarët e UҪK-së?

Krasniqi: Republika e Kosovës është krijesë e luftës çlirimtare që e ka zhvilluar UÇK-ja. Pa UÇK-në, pa luftën e saj, Kosova nuk do të ishte shtet, pasi shtetet nuk bëhen e as janë bërë ndonjë herë me lutje! Në fakt nuk po gjykohet UCK-ja, pjella e saj – Republika e Kosovës.

“Bota sot”: Po për aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, çfarë mendoni?

Krasniqi: Unë kam qenë dhe jam i bindur, se akuzat që kanë dalë nga akuzat e Dick Martit, do të mbesin turpi i shekullit XXI. Si po duket asnjë shekull në historinë e njerëzimit nuk do të mbetet pa turpin e tij?! Populli ynë, ka qenë dhe është populli më fatkeq i Gadishullit Ilirik në kontinentin e vjetër. Popull që janë përpjekur që ta shuajnë tërësisht a pjesërisht dhe ia kanë rrëmbyer më shumë se gjysmën e trojeve të tija të banuara denbabaden.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat