Trupi gjykues përshkruan keqtrajtimin e të ndaluarve dhe pasojat afatgjata

Aktuale

Trupi gjykues përshkruan keqtrajtimin e të ndaluarve dhe pasojat afatgjata

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 11:02
Salla e gjyqit. 16 shtator 2026.

Trupi gjykues në Hagë, gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka përshkruar raste të rënda të keqtrajtimit të personave të ndaluar.

Sipas gjykatësit Charles Smith, disa të ndaluar janë rrahur deri në atë masë sa nuk kanë qenë në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa të tjerë, sipas konstatimeve të trupit gjykues, kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Gjatë seancës u përmendën edhe raste të tjera të keqtrajtimit fizik. Trupi gjykues konstatoi se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët.

Gjykatësi Smith tha se pasojat e këtyre keqtrajtimeve kanë qenë afatgjata për disa prej viktimave. Sipas tij, disa prej tyre vazhdojnë të kenë dhimbje ose nuk janë në gjendje të ecin edhe sot.

Po ashtu, trupi gjykues tha se të ndaluarve u ishin shkaktuar edhe vuajtje të rënda psikologjike. Shumë dëshmitarë, sipas Smithit, kanë folur për pasoja afatgjata të përjetimeve të tyre, përfshirë depresionin dhe problemet me gjumin.

Këto konstatime janë pjesë e arsyetimit që po paraqitet gjatë shpalljes së aktgjykimit në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat