81 vite burgim ishte verdikti i shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Por me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator, beteja gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka përfunduar.
Tash radha është e Gjykatës së Apelit, ku mbrojtjet pritet të kundërshtojnë aktgjykimin dhe të kërkojnë ndryshimin e tij.
Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Krasniqi me 25 vjet, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim, shkruan "Bota sot".
Paneli i Gjykimit i gjeti të katër përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Por tash çështja hyn në një fazë tjetër.
A mund të rrëzohet i gjithë aktgjykimi?
Mbrojtjet mund të kërkojnë edhe shpalljen e plotë të pafajësisë. Por një rezultat i tillë do të ishte shumë më i vështirë sesa një ulje e dënimeve apo ndryshimi i disa prej gjetjeve të shkallës së parë.
Arsyeja është se aktgjykimi i djeshëm nuk bazohet vetëm në një akuzë apo një episod të vetëm. Paneli ka bërë gjetje për përgjegjësinë penale të katër të akuzuarve në lidhje me qindra viktima dhe disa kategori të krimeve të luftës. Sipas Gjykatës, ata u gjetën përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Kjo e bën shumë më komplekse një përmbysje të plotë të aktgjykimit.
Për një pafajësi të plotë, Apeli do të duhej të rrëzonte në mënyrë thelbësore gjetjet e fajësisë të shkallës së parë.
Por kjo nuk do të thotë se vendimi nuk mund të ndryshojë.
Përkundrazi, praktika e deritanishme e Dhomave të Specializuara tregon se Apeli ka ndërhyrë në aktgjykimet e shkallës së parë, ka rrëzuar gjetje konkrete dhe ka ulur dënime.
Mustafa: 26 vjet u bënë 15
Rasti i Salih Mustafës është një prej shembujve më të rëndësishëm.
Në dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për krimet e luftës për të cilat u shpall fajtor.
Në dhjetor 2023, Gjykata e Apelit e uli dënimin në 22 vjet.
Më pas, në korrik 2024, Gjykata Supreme e ktheu çështjen për rishqyrtim lidhur me dënimin. Në shtator të po atij viti, Apeli vendosi një dënim të ri prej 15 vitesh burgim.
Pra, një dënim prej 26 vitesh në shkallën e parë përfundoi në 15 vjet.
Kjo nuk nënkupton se i njëjti rezultat do të ndodhë edhe në rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, por tregon se masa e dënimit mund të ndryshojë ndjeshëm në fazën e Apelit.
Shala: Apeli rrëzoi disa gjetje dhe uli dënimin
Edhe rasti i Pjetër Shalës është domethënës.
Shala ishte dënuar në shkallën e parë me 18 vjet burgim. Në korrik 2025, Apeli e uli dënimin në 13 vjet.
Por ndërhyrja nuk ishte vetëm te numri i viteve.
Paneli i Apelit rrëzoi disa gjetje konkrete lidhur me disa individë, përfshirë gjetje për torturë dhe ndalim arbitrar, pasi vlerësoi se për disa prej tyre nuk kishte prova të mjaftueshme të testuara përmes dëshmisë në gjykatë. Megjithatë, fajësitë për veprat kryesore u konfirmuan.
Kjo tregon se Apeli mund të ndërhyjë edhe në gjetje individuale të aktgjykimit, pa e rrëzuar domosdoshmërisht të gjithë vendimin.
Tash, beteja e katërshes së UÇK-së
Pikërisht këtu pritet të përqendrohet beteja e radhës juridike për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin.
Mbrojtjet mund të kërkojnë që Apeli të rrëzojë gjetjet e fajësisë, të ndryshojë pjesë të aktgjykimit dhe, në alternativë, të ulë dënimet.
Pafajësia e plotë mbetet një prej objektivave të mundshme të mbrojtjes, por për shkak të peshës së akuzave, numrit të madh të gjetjeve dhe volumit të provave të shqyrtuara në gjykimin e shkallës së parë, një përmbysje totale e aktgjykimit do të ishte dukshëm më e vështirë sesa ndryshimi i disa pjesëve të tij ose ulja e dënimeve.
Vetë procesi gjyqësor ka qenë jashtëzakonisht voluminoz. Në rastin Thaçi dhe të tjerët, Gjykata ka administruar mijëra prova dhe ka dëgjuar një numër të madh dëshmitarësh, ndërsa procedurat kanë zgjatur për vite.
Prandaj, beteja në Apel nuk pritet të jetë thjesht një kërkesë për “më pak vite burg”.
Ajo mund të përfshijë kundërshtimin e mënyrës se si janë interpretuar provat, përgjegjësisë individuale të secilit prej katër të akuzuarve dhe gjetjeve konkrete për veprat për të cilat janë shpallur fajtorë.
Nga 81 vite, gjithçka tash varet nga Apeli
Historia e rasteve të mëparshme tregon se vendimet e shkallës së parë në Hagë nuk janë domosdoshmërisht fjala e fundit.
Mustafa: 26 vjet → 22 vjet → 15 vjet.
Shala: 18 vjet → 13 vjet.
Në rastin e Shalës, Apeli madje rrëzoi disa gjetje konkrete, ndonëse la në fuqi fajësitë kryesore.
Tash, pas 81 viteve burgim të shqiptuara në shkallën e parë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mbrojtjet do të kenë mundësinë të kërkojnë një ndryshim të këtij rezultati.
Rruga drejt një pafajësie të plotë është e vështirë, veçanërisht përballë gjetjeve të shumta dhe akuzave të rënda të trajtuara në gjykimin e shkallës së parë.
Por ulja e dënimeve, ndryshimi i gjetjeve konkrete apo edhe rrëzimi i pjesëve të aktgjykimit mbeten skenarë që tash do të jenë në duart e Panelit të Apelit.
Dhe për katër ish-krerët e UÇK-së, beteja juridike në Hagë sapo ka hyrë në një fazë të re.