Avokati Tomë Gashi ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan Ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se ata nuk e kishin raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson para votimit në vitin 2015.
Sipas Gashit, Williamson nuk kishte gjetur prova për trafikim të organeve njerëzore, ndërsa raporti i tij kishte lënë të hapur mundësinë për hetime dhe akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gashi pretendon se, nëse deputetët do ta kishin pasur raportin, nuk do ta votonin Gjykatën Speciale. Ai ka kritikuar gjithashtu ata që, sipas tij, e votuan themelimin e saj dhe tani protestojnë kundër saj.
Postimi i plotë:
Gjykata Speciale nuk është dashur të votohet, tani është vonë të ndryshohet!
Kuvendi i Republikës së Kosovës, para se të votohej ligji për Gjykatën Speciale, por as pas ngritjes së aktakuzës kundër z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi, z. Rexhep Selimi, z. Pjetër Shala, z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, kurrë nuk e ka kërkuar dhe, për këtë arsye, kurrë nuk e ka pasur raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson.
Prokurori amerikan Clint Williamson, pas raportit të Dick Marty-t, i cili është aprovuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 07.01.2011, për katër vite, si Task Force e hetimit special, ka hetuar pretendimet e Dick Marty-t dhe nuk ka gjetur asnjë provë për trafikim të organeve njerëzore.
Këtë raport, i cili e ka eliminuar pretendimin për trafikim të organeve njerëzore, përveç që nuk e kanë pasur me rastin e votimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, Kuvendi nuk e ka pasur as në vitin 2021, kur e kam kërkuar të njëjtin si avokat – përfaqësues juridik i z. Mersin Katuçi nga Shqipëria, në shtëpinë e të cilit, rrejshëm pretendohej se ka ndodhur trafikimi i organeve njerëzore nga pjesëtarë të UÇK-së.
Raporti i Prokurorit Amerikan e ka eliminuar mundësinë e akuzimit të pjesëtarëve të UÇK-së për trafikim të organeve njerëzore, por e ka lejuar mundësinë që të ngrihen akuza për raste të krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit, e që fatkeqësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës (dihet cilët) e kanë votuar këtë mundësi për ngritje të akuzave me nenet 12–16 të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Raporti i prokurorit Clint Williamson, në esencë, ka qenë kallëzim penal rreth 60 faqe, të cilin Kuvendi nuk e ka kërkuar, nuk e ka siguruar dhe, për këto arsye, nuk e ka pasur as më 04.08.2015, e as në kohën kur e kam kërkuar unë.
Dhe, po qe se deputetët do ta kërkonin dhe do ta kishin pasur këtë raport, kurrë nuk do të duhej ta votonin Ligjin për Gjykatën Speciale, sepse pretendimet e Dick Marty-t i ka eliminuar Clint Williamson.
Këta deputetë që e kanë votuar Gjykatën Speciale, fatkeqësisht, kishin një zell të madh për ta dërguar sovranitetin juridik në Hagë, për t’i dërguar pjesëtarët e UÇK-së në gjykatë, dhe një pjesë e këtyre që e kanë votuar këtë gjykatë anti-kombëtare, anti-shqiptare, anti-UÇK, anti-Kosovë, tani dalin në rendin e parë për të protestuar kundër votës së tyre.