Policia e Kosovës ka publikuar të martën bilancin e përditësuar të përplasjeve të 5 tetorit në qendër të Prishtinës, gjatë protestës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas të dhënave zyrtare, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë ose protestues dhe një gazetar.
Ndërkohë, pamje të publikuara nga përleshjet e mbrëmshme tregojnë momente kur disa protestues përplasen me zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe hedhin mjete të ndryshme në drejtim të tyre.
Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë protestës një grup protestuesish kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë. Për shkak të përshkallëzimit të situatës, policia ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Përplasjet ndodhën gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kundërshtonin mosmiratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe shprehën pakënaqësi lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në total, sipas bilancit të Policisë, 33 persona kanë marrë ose kanë kërkuar trajtim mjekësor – 20 policë, 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se tre persona janë arrestuar. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar dhe ndaj tij do të zhvillohet procedurë e rregullt.
Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës për vlerësimin e veprimeve policore dhe për çdo dyshim të mundshëm për tejkalim të autorizimeve gjatë menaxhimit të protestës.