Justina Shiroka-Pula merr detyrën e presidentes së Kosovës

Aktuale

Justina Shiroka-Pula merr detyrën e presidentes së Kosovës

Më: 7 tetor 2026 Në ora: 10:15 Përditësuar në ora: 15:34 më 07.10.2026
Foto nga ceremonia

Justina Shiroka-Pula merr detyrën e presidentes së Kosovës

Është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila ka pranuar zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit.

Ceremonia është zhvilluar në oborrin e Presidencës, ku kanë marrë pjesë familjarë të Presidentes Shiroka-Pula, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, detyra e Presidentes i është dorëzuar zyrtarisht Shiroka-Pulës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke shënuar edhe përfundimin e periudhës së ushtrimit të kësaj detyre nga ana e saj.

Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 6 tetor, në një votim që përfundoi pas mesnatës. Ajo mori 81 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Eliza Hoxha, mori një votë. Dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula bëri betimin kushtetues dhe, në fjalimin e saj të parë si Presidente, deklaroi se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi të plotë. Ajo u zotua se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Justina Shiroka-Pula bëhet Presidentja e shtatë e Republikës së Kosovës dhe gruaja e tretë që ushtron këtë funksion, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.

Zgjedhja e saj erdhi në fund të një periudhe të gjatë të ngërçit institucional, ndërsa votimi në Kuvend u zhvillua në orët e fundit të afatit kushtetues. Me zgjedhjen e Presidentes së re, Kosova shmangu edhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Presidentja e re, Justina Shiroka-Pula arrin në ceremoninë e inaugurimit

Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka mbërritur në ceremoninë për inaugurim.

Ajo erdhi e shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila deri para pak ditësh e ka ushtruar detyrës e kryetares së shtetit.

Në ceremoni të pranishëm janë kryeministri Albin Kurti, ish-presidentë, deputetë dhe familjarë.

Inaugurimi i Justina Shiroka-Pulës, familjarët e ngushtë arrijnë në ceremoni

Pas pak pritet të fillojë inaugurimi i presidentes së re, Justina Shiroka Pula.

Në ceremoni tashmë kanë arritur edhe familjarët e ngushtë të akadamikes.

Shiroka-Pula u zgjodh kryetare e shtetit me 81 vota të deputetëve.

Personalitete të shumta shtetërore në inaugurimin e Presidentes Justina Shiroka-Pula

Një numër i madh personalitetesh të larta shtetërore pritet të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Në mesin e të pranishmëve janë kryeministri , Albin Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, si dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Po ashtu edhe Emilija Rexhepi nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.

Në ceremoninë solemne po marrin pjesë edhe ministri dhe personalitete të tjera.

Inaugurimi i Presidentes Justina Shiroka-Pula po zhvillohet sot në oborrin e Presidencës, duke filluar nga ora 15:00. Ajo u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur mbrëmjen e 6 tetorit.

 

Përgatitjet finale për inaugurimin e presidentes së re

Janë duke u bërë përgatitjet finale për inaugurimin e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Ceremonia do të zhvillohet në oborrin e Presidencës nga ora 15:00.

Sipas agjendës mediale të Presidencës, në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, mysafirë dhe akterë të tjerë të ftuar.

Sot inaugurohet presidentja e re e Kosovës

Sot do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Ceremonia do të mbahet duke filluar nga ora 15:00, në oborrin e Presidencës.

Sipas agjendës mediale të Presidencës, në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, mysafirë dhe akterë të tjerë të ftuar.

Presidenca ka ftuar ekipet mediale që të jenë të pranishme për ta përcjellë nga afër ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së re të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat