Metaj: Do të thellojmë bashkëpunimin me partnerët për mbështetjen e grave

Aktuale

Metaj: Do të thellojmë bashkëpunimin me partnerët për mbështetjen e grave

Nga: A.M. Më: 9 tetor 2026 Në ora: 11:21
Genc Metaj

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka organizuar konferencën për lansimin e projektit RISE, i cili synon fuqizimin ekonomik dhe psikosocial të grave të riatdhesuara dhe grave refugjate në Republikën e Kosovës, duke krijuar mundësi më të mira për integrimin dhe pavarësinë e tyre.

Në hapje të konferencës, Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, prezantoi të arriturat e ministrisë gjatë këtij viti në avancimin e politikave dhe mekanizmave për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe integrimin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare. Ai vuri në pah rëndësinë e përfshirjes së grave dhe vajzave në këto procese, si dhe riafirmoi përkushtimin e ministrisë për thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja e Finlandës, Eevamari Laaksonen, duke shënuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë në mbështetjen e grupeve që kanë nevojë për përkrahje të shtuar.

Projekti RISE mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës dhe zbatohet në bashkëpunim me Helsinki Deaconess Institute Foundation, JRS Kosovë dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Përmes këtij projekti synohet të rritet qasja e grave të riatdhesuara dhe refugjate në mundësi ekonomike, shërbime mbështetëse dhe përkrahje psikosociale. Njëkohësisht, RISE synon të krijojë kushte konkrete që gratë të ndërtojnë një jetë më të qëndrueshme, të pavarur dhe të integruar në komunitet.

MPB-ja vlerëson se fuqizimi i grave dhe krijimi i mundësive të barabarta janë elemente thelbësore për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Në këtë drejtim, projekti RISE synon jo vetëm të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për përfitueset, por edhe të forcojë kapacitetet institucionale, të përmirësojë shërbimet dhe të avancojë praktikat e bashkëpunimit.

Përmes rezultateve dhe përvojave të krijuara gjatë zbatimit, pritet që ndikimi i projektit të vazhdojë edhe pas përfundimit të tij, duke kontribuar në integrimin afatgjatë të grave të riatdhesuara dhe refugjate dhe në ndërtimin e një mjedisi ku ato kanë më shumë mundësi për zhvillim, pjesëmarrje dhe pavarësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat