Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, në edicionin e tetë të Kongresit Ndërkombëtar me temën “Shëndeti mendor: sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, ekspertë të fushës kanë theksuar nevojën urgjente që kujdesi për shëndetin mendor të mos mbetet vetëm në kuadër të ditëve të shënuara, por të shndërrohet në një prioritet të vazhdueshëm shoqëror e institucional. Duke u ndalur te sfidat aktuale si ankthi, depresioni, varësitë dhe pasiguria sociale, pjesëmarrësit bënë thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse, luftim të stigmatizimit dhe investim më të madh në parandalim e qasje të barabartë në shërbime profesionale.
Ilir Havolli, specialist i psikologjisë klinike, ka theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, duke thënë se ai nuk duhet të trajtohet vetëm në ditë të caktuara, por të jetë prioritet i vazhdueshëm për individin, familjen dhe institucionet.
“Shëndeti mendor është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm, dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, megjithatë ende përballemi me paragjykime, stigmatizime, vështirësi në qasje ndaj shërbimeve personale dhe për këtë arsye kemi përgjegjësi të përbashkët të investojmë më shumë në parandalim, identifikim, edukim dhe ofrim të shërbimeve cilësore”, tha Havolli.
Ai theksoi se kujdesi për shëndetin mendor nuk kufizohet vetëm në trajtimin e vështirësive, por përfshin edhe krijimin e kushteve që individët të ndihen të mbështetur dhe të jetojnë me dinjitet.
“Ekziston një e vërtetë që nuk mund ta mohojmë asnjëherë: vazhdimisht nuk mund ta shohim dhimbjen tek një njeri, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston”, u shpreh ai.
Ndërsa Neuropsikiatri Ferid Agani ka thënë se shëndeti mendor duhet të jetë prioritet i vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e parandalimit, identifikimit të hershëm të çrregullimeve dhe qasjes së barabartë në shërbime.
“Dita Botërore e Shëndetit Mendor na kujton çdo vit se nuk mund të ketë shëndet të plotë pa shëndet mendor. Por ajo duhet të jetë më shumë se një ditë ndërgjegjësimi; duhet të jetë një thirrje për veprim, për parandalim edhe më të fuqishëm: njohje më të hershme të çrregullimeve, qasje më të barabartë në shërbime, trajtim të bazuar në evidencë dhe mbrojtje të dinjitetit e të drejtave të çdo personi që përjeton vuajtje psikike”, tha Agani.
Duke folur për sfidat e kohës, ai përmendi pasigurinë, polarizimin, vetminë, migrimin dhe pabarazitë sociale, të cilat, sipas tij, ndikojnë në mirëqenien psikologjike të individëve dhe të shoqërisë.
Madje Agani theksoi se ankthi, depresioni, pasojat e traumës, varësitë dhe dhuna nuk prekin vetëm individin, por edhe familjen dhe komunitetin.
Agani- Video- “Ankthi, depresioni, pasojat e traumës, varësitë, dhuna dhe çrregullimet e tjera mendore prekin jo vetëm individin, por edhe familjen, komunitetin dhe e cenojnë zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.” u shpreh ai.
Donika Shahini-Lami, udhëheqëse e Zyrës së Psikologëve, Logopedëve dhe Ergoterapeutëve në Odën e Infermierëve të Kosovës thënë se hulumtimet dhe temat e trajtuara në këtë kongres dëshmojnë për punën e rëndësishme që po bëhet për t’u dalë në ndihmë njerëzve.
“Po ndihem mirë se është bërë punë e jashtëzakonshme, mirëpo kur po lexoj tema konkrete, kur po lexoj hulumtime konkrete, po vazhdojmë të punojmë drejt për t'ju dalë ndihmë njerëzve. Nevoja është e jashtëzakonshme, një vendim politik, një vendim i ditëve të fundit na tregoi se sa fragjil mund të jetë shëndeti mendor edhe tek ne, që e punojmë këtë profesion, ndër vite e lëre më tek njerëzit që kanë kaluar në trauma, lëre më tek ata që stresi post-traumatik ka marrë forma të ndryshme, po i kalon edhe terminologjinë shkencore”, ka thënë ajo.
Punimet do të vazhdojnë gjatë ditës.
E nesër do te jetë dita e dytë e punës së këtij kongresi.