Për pak çaste pa shikim, përballë një realiteti tjetër - Qytetarët provojnë ecjen me shkop të bardhë

Aktuale

Për pak çaste pa shikim, përballë një realiteti tjetër - Qytetarët provojnë ecjen me shkop të bardhë

Më: 18 tetor 2026 Në ora: 12:55
Qytetarët provojnë ecjen me shkop të bardhë

Në ditën e dytë të aktivitetit të organizuar nga organizata joqeveritare "YouCanDo" në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Njerëzve me Shkop të Bardhë, ka pasur mjaft interesim të madh nga qytetarët ta përjetojnë si ndjesi verbërinë.

Kryetari i kësaj organizate, Jusuf Fazliu për kp tha se qytetarët po e përshkruajnë si një përvojë të mirë dhe se qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijësimi i qytetarëve kundrejt paragjykimeve dhe diskriminimeve ndaj kësaj kategorie.

Fazliu: Ky aktivitet ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve kundrejt paragjykimeve, diskriminimit dhe bullizmit të personave me aftësi të kufizuara

"Sot është dita e dytë, është jashtëzakonisht shumë mirë, interesimi i qytetarëve është jashtëzakonisht shumë i madh që ta përjetojnë verbësinë në lëkurën e tyre, dhe po shfaqen dhe tregojnë që është një ndjenjë shumë interesante dhe e mirë...Ky aktivitet ka për qëllim me e nxjerrë në pah vetëdijesimin e qytetarëve kundrejt paragjykimeve, diskriminimit dhe bullizmit të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht të fëmijëve nëpër shkolla dhe të rinjve në përgjithësi", tha Fazliu.

Ndërkohë drejtoresha e organizatës, Merita Hasani tha se vëren një rëndesë emocionale tek qytetarët që e përjetojnë si përvojë.

Hasani: shumica nuk e mendojnë si ndjenjë dhe e verën një rëndesë goxha të madhe emocionale

"Te shumica e vëren një rëndesë emocionale. Ne tregohemi injorantë ndaj çështjeve që preokupojnë këtë komunitet. Për shkak të diskriminimit të madh që personat me aftësi të kufizuara përjetojnë në përgjithësi, por sidomos të vërbërit, ne nuk i vërejmë as në përditshmëri. Ne nuk kemi persona që ecin me shkop të bardhë, që kanë një infrastrukturë që i'u mundëson lëvizjen e pavarur, andaj shumica nuk e mendojnë si ndjenjë dhe e verën një rëndesë goxha të madhe emocionale", u shpreh ajo.

Ky aktivitet është zhvilluar edhe gjatë ditës së djeshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat