Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka deklaruar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen pa u personalizuar, pavarësisht pasojave politike që mund të sjellin.
Duke folur në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, Shiroka-Pula tha se pavarësia e kësaj gjykate nuk është vetëm parim juridik, por garanci themelore për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Sipas saj, Kushtetuta vendos kufijtë e pushtetit dhe siguron që të drejtat e qytetarëve të mos varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritet publik. “Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi presidentja.
Shiroka-Pula vuri në dukje se roli i Gjykatës Kushtetuese bëhet edhe më i rëndësishëm në kohë krizash politike, kur institucionet janë nën presion dhe parimet kushtetuese vihen në provë. Pikërisht në ato momente, tha ajo, shihet vlera e gjykatave të pavarura, që e mbajnë ushtrimin e pushtetit brenda kornizës kushtetuese.
Për Kosovën si shtet i ri, sipas presidentes, kjo gjykatë ka peshë të veçantë. “Vendimet e gjykatës kushtetuese respektohen dhe nuk personalizohen pavarësisht efekteve të tyre politike”, deklaroi ajo.
Presidentja përmendi edhe përvojën e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, të gjykatave të tjera evropiane dhe ekspertizën e Komisionit të Venecias. Ajo i cilësoi ato si mundësi për dialog juridik dhe për forcimin e standardeve të mbrojtjes së rendit kushtetues.
Në fund, Shiroka-Pula tha se forca e një demokracie matet me gatishmërinë për t’i respektuar kufijtë e pushtetit, jo me mungesën e tyre. Sipas saj, kur institucionet i nënshtrohen Kushtetutës, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta dhe demokracia më e fortë.
Deklarata e presidentes vjen në ditën kur pritet që ajo të vendosë për Ligjin për Dhomat e Specializuara. Afati për dekretimin ose kthimin e tij në Kuvend skadon nesër.