Përparim Rama u mor në pyetje për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”: Kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë

Aktuale

Përparim Rama u mor në pyetje për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”: Kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë

Më: 30 tetor 2026 Në ora: 17:34
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale në lidhje me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit” në cilësinë e të pandehurit dhe dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Rama pas marrjes në pyetje tha se i takon Prokurorisë të hetojë nëse ka diçka të paligjshme te projekti.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhur, përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, tha Rama pas daljes nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale konfirmoi se Rama u mor në pyetje për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, bëri të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Është fjala për kontratën 12-milionëshe “Shërbimi i arkitektit të kryeqytetit”.

Më herët gjatë ditës, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, publikoi një dokument pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u paraqit në Prokurorinë Special në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

“Plot 1 milion e 48 mijë euro i ka paguar Komuna e Prishtinës për shërbimet e ofruara nga Zyra e Arkitektit të Kryeqytetit, vetëm për dy muaj, tetor dhe nëntor të vitit 2023.

Shërbimi i ofruar me vlerë mbi 1 milion euro, sipas përshkrimit në faturë, ka qenë - KONSULENCË!!

Ndërkohë, kontrata e përgjithshme për këtë projekt kap vlerën prej 12 milionë eurosh.

Tre vjet më vonë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është thirrur për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pikërisht lidhur me këtë projekt të cilin si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi denoncuar qysh nga dita e parë”, shkroi në Facebook, Sveçla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat