Hoti: Qeveria po shkel ligjin, nuk e miratoi projektbuxhetin për vitin 2027 brenda afatit

Aktuale

Hoti: Qeveria po shkel ligjin, nuk e miratoi projektbuxhetin për vitin 2027 brenda afatit

Nga: A.SH Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 11:21
Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë se ka shkelur afatin ligjor për miratimin dhe dorëzimin e projektbuxhetit për vitin 2027. Sipas tij, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike përcakton 31 tetorin si afat të fundit për dorëzimin e projektbuxhetit në Kuvend.

Hoti ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e VV-së, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme ligjore dhe kushtetuese.

Postimi i plotë:

Qeveria shkel ligjin, nuk e miraton buxhetin për 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj

Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor.

Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor.

Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore.

Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj. Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues. Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë. Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat