Gërvalla takon homologun e saj irlandez: Zero kompromis me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë

Aktuale

Gërvalla takon homologun e saj irlandez: Zero kompromis me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë

Më: 6 nëntor 2026 Në ora: 15:09
Pamje nga takimi

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ka zhvilluar sot një takim me homologun e saj irlandez Jim O’Callaghan, me të cilin diskutuan për reformat në drejtësi, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan edhe për avancimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, raporton KosovaPress.

“Me shtetin mik të Irlandës, synojmë të çojmë përpara bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale, me fokus në krijimin dhe avancimin e mekanizmave për ndihmë të ndërsjellë juridike, ekstradim dhe transferim të personave të dënuar. Këto mekanizma janë thelbësorë për të siguruar që kufijtë shtetërorë të mos shndërrohen në strehë për krimin dhe që drejtësia të mos ndalet aty ku përfundon juridiksioni i një shteti”, deklaroi Gërvalla.

Gërvalla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me agjencitë e Bashkimit Evropian në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbështetjen e BE-së për zbatimin e reformave në drejtësi dhe avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

“Kosova nuk bën kompromis me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, tha Gërvalla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat