Rreth 150 mijë lodra nga Kina ndalohen në kufi, nuk plotësonin standardet e sigurisë

Aktuale

Rreth 150 mijë lodra nga Kina ndalohen në kufi, nuk plotësonin standardet e sigurisë

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 12:11
Rreth 150 mijë lodra nga Kina ndalohen në kufi

Rreth 150 mijë lodra për fëmijë me origjinë nga Kina janë ndaluar të vendosen në tregun e Kosovës, pasi nuk plotësonin standardet e sigurisë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka realizuar gjatë ditëve të fundit një aksion inspektues në pikat doganore, ku janë identifikuar produktet që nuk përmbushnin kërkesat ligjore.

Sipas njoftimit të IQMT-së, gjatë kontrolleve është konstatuar se lodrat nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.

Aksioni është zhvilluar në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në vendet anëtare të CEFTA-s, me qëllim parandalimin e hyrjes së produkteve të pasigurta në treg.

IQMT ka paralajmëruar se lodrat që nuk përmbushin standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se, përmes inspektoratit, do të vazhdojë kontrollet e produkteve që synojnë të vendosen në tregun e Kosovës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat