​Kuvendi fut në rend dite Ligjin për Specialen, Çitaku zotohet për amendamentim brenda dy javësh

Aktuale

​Kuvendi fut në rend dite Ligjin për Specialen, Çitaku zotohet për amendamentim brenda dy javësh

Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 12:08
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 79 vota për përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky projektligj ishte miratuar më 6 tetor në dy leximet, mirëpo i njëjti është kthyer sërish në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së.

Kjo pikë është vendosur si e fundit në rendin e ditës të seancës së sotme, pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Gjatë prezantimit të kërkesës, Çitaku u kërkoi deputetëve që Ligji për Specialen të miratohet sot dhe që më pas procedura e amendamentimit të tij të nisë menjëherë, duke propozuar që këtij procesi t'i jepen dy javë kohë.

Çitaku: Zotohem publikisht se të hënën do ta sjellim nismën e re ligjore për Specialen

“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime që, ne besojmë, ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm dhe juridikisht më të qëndrueshëm nga kushdo që do ta kontestonte në fazat e mëtejshme. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm se do të na kushtojë politikisht, por për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëjë neve si parti politike. E kemi marrë me bindjen e plotë se mund të bëjmë ndryshime me të. Por, pas diskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponentë të lartë të LVV-së dhe grupet parlamentare që e kanë mbështetur këtë ligj, ndonëse ka pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje ka pasur dakordim. Ju ftoj që këtë mocion ta miratojmë sot dhe ligjin ta miratojmë sot, ndërsa menjëherë të fillojmë procedurën e amendamentimit. Për të treguar seriozitet ndaj këtij procesi, t'i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht se të hënën do ta sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do t'i bëjmëndryshimet e ligjit në fjalë”, shtoi ajo.

Mbështetje për përfshirjen e kësaj pike në rend të ditës shprehu edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Ajo tha se LVV-ja kishte vlerësime se projektligji dhe mënyra e trajtimit të tij nuk përbënin rrugën e duhur, por megjithatë vendosi ta mbështesë kërkesën e PDK-së, me mundësinë që çështja të diskutohej sërish.

Nagavci: Jemi dakord që Ligji për Specialen të përfshihet në rend të ditës

“Kemi biseduar edhe për faktin se ky projektligj dhe mënyra se si po adresohet nuk janë rruga e duhur. Por, duke qenë se PDK-ja ka besuar në këtë projektligj, ne i kemi dhënë mbështetjen tonë. Ne jemi dakord që të futet në rend të ditës dhe pastaj të diskutojmë përsëri”, theksoi Nagavci.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se partia e saj e ka të njëjtin qëndrim për këtë ligj, sikurse në momentin kur ishte propozuar për herë të parë.

Lushaku: Ne kemi qëndrimin e njëjtë për Ligjin për Specialen

“LDK-ja e ka qëndrimin e njëjtë për këtë ligj, ashtu siç kemi deklaruar kur është propozuar për herë të parë”, tha ajo.

Gjatë diskutimit pati edhe përplasje mes Çitakut dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Çitaku kërkoi që kjo pikë të vendosej menjëherë pas pyetjeve parlamentare, por Haxhiu reagoi duke i kërkuar që të mos insistonte në ndryshimin e rendit të ditës.

Ajo theksoi se kjo pikë do të mbetej në fund të rendit të ditës dhe u bëri thirrje deputetëve që të mos paraqisnin kërkesa të tjera, duke iu referuar ndjeshmërisë së çështjes dhe diskutimeve që e kanë shoqëruar atë.

Haxhiu e ashpër ndaj Çitakut, ja për çfarë i reagoi

“Mos e prish, nënkryetare. Me mirëkuptim, mos e prish tani me këtë propozim tjetër unitetin, jo, por të paktën deklarimin dhe vullnetin e shumicës. Ju e dini shumë mirë se si është situata. Kjo pikë radhitet e fundit në rendin e ditës. Ju kisha lutur të mos bëni kërkesa të tjera, pasi jeni shumë mirë në dijeni për ndjeshmërinë dhe debatet”, potencoi ajo. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat