Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu priti sot në takim përfaqësuesit e organizatës Handicap Students of Kosova, me të cilët bisedoi mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, qasjen në arsim dhe shërbime publike, mundësitë e punësimit dhe pengesat me të cilat përballen në jetën e përditshme.
Në këtë takim u diskutua edhe për rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara.
Haxhiu theksoi se barazia në të drejta duhet të ndihet edhe në mundësitë që secili ka për të studiuar, punuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike dhe se për këtë duhet të angazhohen të gjithë, duke i dëgjuar në radhë të parë njerëzit që përballen çdo ditë me këto pengesa.
Handicap Students of Kosova është një organizatë joqeveritare i dedikuar mbështetjes së studentëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.
Organizata angazhon në mënyrë aktive studentët në ngjarje sociale, kulturore dhe sportive, siç është koordinimi i delegacioneve rinore dhe iniciativave komunitare.