Pacolli: Kosova do të jetë pjesë e projekteve rajonale për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Aktuale

Pacolli: Kosova do të jetë pjesë e projekteve rajonale për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Nga: A.M. Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 20:02
Fitore Pacolli

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Kosova do të përfshihet në komponentin rajonal të projekteve që synojnë zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe rritjen e qëndrueshmërisë së qyteteve dhe bizneseve.

Përmes një postimi, Pacolli ka njoftuar se në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNDRR).

Gjatë takimit është diskutuar për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në përgatitjen më të mirë të qyteteve dhe bizneseve përballë rreziqeve natyrore.

Sipas Pacollit, vëmendje e veçantë i është kushtuar mbështetjes së qyteteve dhe bizneseve të vogla dhe të mesme, në mënyrë që ato të jenë më të përgatitura për t'u përballur me fatkeqësitë natyrore.

Po ashtu, është diskutuar për shkëmbimin e përvojave me qytetet evropiane që kanë shënuar përparim në këtë drejtim.

“Kosova do të jetë pjesë e komponentit rajonal të projektit, ndërsa synojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe mekanizmat e koordinimit për t’u përgatitur më mirë ndaj fatkeqësive natyrore”, ka bërë të ditur Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat