AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, tejkalonte nivelin e lejuar të aflatoksinës

Aktuale

AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, tejkalonte nivelin e lejuar të aflatoksinës

Nga: Bota sot Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 19:38
Fotoilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 27 tonëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës B1.

Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa prej 27 mijë kilogramësh ishte importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja dhe ishte paraqitur për kontroll në pikën kufitare të Merdarit.

Misri ishte eksportuar nga kompania serbe AGRO DOM TIM DOO, me seli në Crvenka, ndërsa gjatë kontrollit kufitar inspektorët kanë marrë mostra për analiza laboratorike.

Rezultatet kanë treguar se niveli i aflatoksinës B1 në këtë produkt ishte 0.029 mg/kg, përkatësisht 29 mikrogramë për kilogram, duke tejkaluar për 45 për qind kufirin maksimal të lejuar prej 0.020 mg/kg.

Aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër e drithëra të tjera. Prania e saj paraqet rrezik për shëndetin, veçanërisht në rastet kur misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, pasi toksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1.

Pas konstatimit të këtyre rezultateve, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë ngarkesës prej 27 tonësh, duke mos lejuar që produkti të hyjë në tregun e Kosovës.

AUV ka bërë të ditur se kontrollet në pikat kufitare dhe analizat laboratorike do të vazhdojnë, me qëllim të parandalimit të hyrjes së produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat