​Pagat dhe të dhënat e punonjësve publikë në një sistem të ndërlidhur, synohet shmangia e regjistrimeve të dyfishta

Aktuale

​Pagat dhe të dhënat e punonjësve publikë në një sistem të ndërlidhur, synohet shmangia e regjistrimeve të dyfishta

Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 12:14
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka prezantuar sot ndërlidhjen e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) me Sistemin për Menaxhimin e Pagave (SMP) dhe Thesarin, në një punëtori të mbajtur në Prishtinë.

Kjo ndërlidhje synon harmonizimin e të dhënave, zvogëlimin e procedurave administrative, shmangien e regjistrimeve të dyfishta dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe financave publike, raporton KosovaPress.

Kryesuesi i Grupit Punues për Ndërlidhjen, Dition Kuklecaj, theksoi se ky proces do të shërbejë edhe si mundësi për adresimin e çështjeve rregullatore dhe përmirësimin e qasjes në të dhëna.

Kuklecaj: Ndërlidhja e sistemeve, mundësi për adresimin e çështjeve rregullatore dhe përmirësimin e qasjes në të dhëna

“Ky do të shërbejë edhe si një mundësi për shërbimin e nevojave, adresimin e çështjeve rregullatore, zëvendësimin e afateve dhe qasjen të dhënave”, tha Kuklecaj.

Ndërkaq, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se SIMBNJ duhet të jetë shumë më tepër sesa një platformë për regjistrimin e të dhënave të punonjësve, duke theksuar rëndësinë e tij në menaxhimin strategjik të burimeve njerëzore në administratën publike.

Jagxhiu: Sistemi i burimeve njerëzore nuk duhet të shërbejë vetëm për regjistrimin e punonjësve

“SIMBNJ duhet të jetë shumë më tepër sesa një platformë për regjistrimin e të dhënave të punonjësve. Ai duhet të shërbejë si instrument kryesor për menaxhimin strategjik të burimeve njerëzore në administratën publike. Përmes tij duhet të kemi një pasqyrë të saktë të personelit, pozitave të punës, strukturave organizative dhe nevojave për rekrutime e zhvillim profesional. Këto të dhëna janë thelbësore për planifikimin e personelit, menaxhimin e përgjithshëm të burimeve publike dhe hartimin e politikave të bazuara në evidencë. Prandaj, mirëmbajtja e të dhënave në SIMBNJ nuk është vetëm përgjegjësi e ekipeve teknike. Është përgjegjësi e përditshme e secilit institucion dhe në veçanti e njësive të burimeve njerëzore”, tha Jagxhiu.

Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arton Ahmeti, vlerësoi se ndërlidhja e sistemeve ka rëndësi të veçantë për menaxhimin e përgjegjshëm të mjeteve publike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ahmeti: Ndërlidhja e sistemeve forcon kontrollin mbi mjetet publike dhe bashkëpunimin ndërinstitucional

“Për Ministrinë e Financave, ky proces ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se menaxhimi i përgjegjshëm i mjeteve publike kërkon mekanizma të besueshëm të kontrollit dhe administrimit. Në këtë drejtim, Thesari i Kosovës, si agjenci në kuadër të Ministrisë së Financave, ka rolin thelbësor në ekzekutimin e buxhetit dhe menaxhimin e proceseve financiare. Megjithatë, rëndësia e kësaj ndërlidhjeje shkon përtej aspektit teknologjik. Ajo është një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, për të qartësuar përgjegjësitë dhe për të përmirësuar mënyrën se si institucionet i shkëmbejnë të dhënat për të arritur qëllimin e përbashkët në menaxhimin më të mirë të financave publike. Prandaj, përveç investimeve në teknologji, është po aq e rëndësishme edhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore”, deklaroi Ahmeti.

Gjatë prezantimit, Muhamet Behrami shpjegoi se ndërlidhja e dy sistemeve do të mundësojë përcjelljen elektronike të të dhënave për emërimet, transferimet dhe përfundimin e marrëdhënies së punës, duke shmangur regjistrimet e dyfishta.

Ndërlidhja e SIMBNJ-së me Sistemin e Pagave dhe Thesarin është pjesë e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, me synim modernizimin e administratës publike, harmonizimin e të dhënave dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe financave publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat