Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në selinë e NATO-s në Bruksel me zëvendësndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm për Operacione, Burcu San.
Pas takimit, Haxhiu ka bërë të ditur se në fokus të bisedimeve kanë qenë thellimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, si dhe zhvillimi i konsultimeve më të rregullta politike.
Ajo ka shprehur mirënjohjen për kontributin e KFOR-it dhe bashkëpunimin e tij me institucionet e Kosovës, duke theksuar se qytetarët e vendit kanë besim të madh në NATO dhe se anëtarësimi në këtë aleancë mbetet synim i Kosovës.
Haxhiu ka theksuar gjithashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut edhe më të madh për sigurinë në rajon dhe Evropë, duke përmendur si dëshmi edhe mbështetjen e vendit për Ukrainën.
Gjatë takimit, ajo ka diskutuar edhe për përgjegjësinë e Kuvendit në mbikëqyrjen demokratike të sektorit të sigurisë, si dhe për mbështetjen dhe ekspertizën që NATO ka ofruar në këtë drejtim.
Një tjetër çështje e përmendur nga Haxhiu ishte zgjedhja e delegatëve të Kuvendit të Kosovës për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes së cilës synohet të thellohet bashkëpunimi me parlamentet e vendeve aleate.
Në fund, kryetarja e Kuvendit ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme e NATO-s.