Gërvalla: Barazia gjinore nuk mund të mbetet vetëm parim i shkruar, nevojitet angazhim konkret institucional

Aktuale

Gërvalla: Barazia gjinore nuk mund të mbetet vetëm parim i shkruar, nevojitet angazhim konkret institucional

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 14:37
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se Agjenda Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030 përbën një angazhim të rëndësishëm për avancimin e të drejtave të grave dhe forcimin e barazisë gjinore në Kosovë.

Përmes një postimi, Gërvalla ka bërë të ditur se në prezantimin e projekt-planit të punës është riafirmuar rëndësia e angazhimit të përbashkët institucional, në mënyrë që kjo agjendë të sjellë rezultate konkrete dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e grave.

Ajo ka theksuar se mbrojtja e të drejtave, siguria, pavarësia dhe barazia e grave duhet të jenë garanci të zbatueshme në jetën e përditshme dhe jo vetëm objektiva në dokumente institucionale.

“Barazia nuk mund të mbetet vetëm parim i shkruar. Asnjë grua nuk duhet të pengohet nga dhuna, diskriminimi apo pabarazia për të ushtruar të drejtat e saj dhe për të përcaktuar të ardhmen e vet”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka ritheksuar përkushtimin e saj në cilësinë e ministres së Drejtësisë dhe koordinatores kombëtare kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtje më të mirë të viktimave dhe rritje të përgjegjësisë institucionale.

Në fund, Gërvalla ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë ndaj Kuvendit në realizimin e kësaj agjende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat