Në pritjen për 28 Nëntorin, Kurti flet për historinë, pavarësinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë

Aktuale

Në pritjen për 28 Nëntorin, Kurti flet për historinë, pavarësinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 21:31
Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për nder të 28 Nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, ka mbajtur një fjalim në të cilin ka kujtuar rrugëtimin historik të shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurti ka theksuar se 28 Nëntori i vitit 1912 shënoi shpalljen e një aspirate që, sipas tij, vazhdon të mbetet e rëndësishme edhe sot.

“Më 28 Nëntor 1912 Kuvendi i përfaqësuesve të kombit shqiptar i mbledhur në Vlorë shpalli një aspiratë që ka mbetur e tillë edhe në ditët tona. Ajo është që Shqipëria ‘të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme’”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka rikujtuar periudhat e pushtimit dhe regjimet shtypëse që kanë përjetuar shqiptarët, duke përmendur edhe gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Gjenocidi më i fundit ndaj kombit tonë shqiptar u ndërmor në vitet 1998-1999 në Kosovë, mandej në qershor u çliruam me luftë dhe Republika e Kosovës u shpall shtet sovran në shkurt të vitit 2008”, ka thënë Kurti.

Duke folur për shtetësinë e Kosovës dhe raportet me Shqipërinë, kryeministri ka theksuar se pavarësia shtetërore nuk e zbeh lidhjen kombëtare.

“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është shtrirë në shumë fusha, ndërsa ka përmendur edhe numrin e marrëveshjeve të arritura.

“E si institucione, posaçërisht si Qeveri, ne bashkëpunojmë: janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen, 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë: arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera”, ka theksuar Kurti.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes perëndimore për Kosovën.

“Ne nuk e harrojmë kurrë po ashtu ndihmesën e aleatëve perëndimorë për Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe gjithnjë punojmë për të përforcuar marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe me Shtetet e Bashkuara, me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar, me Kanadanë, Turqinë, Japoninë, Zvicrën e të tjera”, ka deklaruar kryeministri.

Në fjalimin e tij, Kurti ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës në fushën e sigurisë ndërkombëtare dhe mbështetjen për Ukrainën përballë pushtimit rus.

“Kosova, porsi Shqipëria, e ka treguar veten si një partner i besueshëm për ruajtjen dhe promovimin e paqes, në Evropë dhe në botë. Ajo ka dhënë ndihmesën e vet në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe në stërvitjet e NATO-s e të partnerëve të saj për sigurinë në Evropë”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, Kosova, ndonëse ende nuk është anëtare e NATO-s, ka përmbushur për katër vjet radhazi kriterin e investimeve në siguri në nivelin prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor.

Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, kryeministri ka rikujtuar disa nga ngjarjet që i cilësoi si themele të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 nëntor 1908 dhe 28 Nëntori i shumëfishtë - i Flamurit dhe Skënderbeut në Krujë në 1443, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Qemalit në Vlorë në 1912, e i UÇK-së e kryekomandantit Adem Jashari në Drenicë në fund të shekullit të kaluar - janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përfunduar duke uruar qytetarët e Kosovës, shqiptarët kudo që jetojnë dhe miqtë ndërkombëtarë për Ditën e Flamurit.

“Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të gjithë miqtë tanë të huaj për Ditën e Flamurit, që simbolizon vullnetin e kombit për mëvetësi, liri e pavarësi!”, ka thënë Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat