Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë se vazhdon të bllokojë interkoneksionin elektrik me Kosovën, duke i kërkuar Komisionit Evropian që të ndërhyjë.
Kurti foli në Samitin e Liderëve në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Në hyrje të samitit ai u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa në punime merr pjesë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se Serbia, duke e mbajtur të bllokuar linjën, po shkel detyrimet që ka sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe po sfidon hapur afatin e 1 korrikut, të vendosur nga Këshilli Ministror i këtij komuniteti. Ky bllokim, sipas tij, dëmton integrimin e tregut jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
“Rregullat që vlejnë për ne duhet të vlejnë për të gjithë”, tha Kurti, duke i bërë thirrje Komisionit Evropian që të veprojë.
Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë kishte vendosur në dhjetor të vitit 2025 se Serbia i ka shkelur detyrimet e traktatit dhe e kishte urdhëruar që t’i zhbllokonte linjat deri më 1 korrik 2026. Sipas Kurtit, Beogradi nuk e ka respektuar këtë afat.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se rajoni ka nevojë për më shumë ndërlidhje dhe investime në transport dhe energji. Ai kujtoi se tregu i energjisë elektrike i Kosovës tashmë është i integruar me atë të Shqipërisë.
“Siguria energjetike është njëkohësisht siguri ekonomike dhe siguri kombëtare”, deklaroi ai.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që hekurudhat e planifikuara, përfshirë linjën Prishtinë–Durrës, të përfshihen plotësisht në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit. Si shembull të qëndrueshmërisë së hekurudhës edhe në kohë lufte, ai përmendi Ukrainën.
Kurti u zotua po ashtu se Kosova do t’i përmbushë të gjitha reformat e kërkuara nga Plani i Rritjes, përfshirë edhe ato për të cilat janë humbur fonde. Reformat, sipas tij, janë detyrë kombëtare dhe evropiane.
Ndërkohë, komisionerja Marta Kos i bëri thirrje Kosovës që ta shfrytëzojë formimin e institucioneve të reja për të përshpejtuar reformat dhe për të siguruar më shumë fonde nga Plani i Rritjes. Ajo njoftoi se do ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit, për të diskutuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Kos, procesi i zgjerimit të BE-së është në lëvizje dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin përpara në varësi të përmbushjes së angazhimeve dhe zbatimit të reformave.