Në moshën 107 vjeçare, vdiq në New York, Mine Alliu Rexha nga Dibra

Amerika

Në moshën 107 vjeçare, vdiq në New York, Mine Alliu Rexha nga Dibra

Nga: Beqir SINA – New York Më: 10 gusht 2021 Në ora: 21:15
Mine Alliu Rexha

Mine Alliu Rexha nga Dibra e Madhe, me banim në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 107 vjeçare. Ajo vdiq në gjumë (pas asnjë lloj sëmundje apo shqetësimi shëndetësore) të Martën me 3 Gusht 2021, në shtëpinë e djalit të saj në Staten Island , New York.

Ceremonia mortare u mbajt sipas zakoneve në funeralin e xhamisë Shqiptare në Staten Island NY, kurse varrimi u bë me 5 Gusht në varrezat Laurel Grove Totowa – New Jersey.

Familja, dhe të afërmit e saj, e thërrisnin “Nanë Madhe - Nana Mine” dhe e vlerësonin gjithnjë si një plakë shumë e mençur, e ëmbël në fjalë, bujare e dashur dhe respektuar nga gjithë ato që e patën rastin dhe e njohën, në vendlindjen e saj por edhe këtu në Amerikë.

Afrimiteti i saj shëmbëllente kudo, në familje, farefisin, miqt dhe të afërmit, komshinjtë e saj, duke i konsideruar ato në marrëdhënieje shoqërore si një familje, ndarë me të gjithë, dashuri, respekt dhe afrimitet.

Nana Mine, si e thërrisnin atë, lindi në fshatin Strikçan të Dibrës, në nji familje shumë të njohur dibrane, familje patriote dhe intelektuale. Familja Alliu.

Vëllezërit e saj Selim Alliu, “Mësues i Popullit”, Muharem Alliu, Vehbi Alliu, “Gjeniju” i Strikçanit, siç e thërrisnin në Normalen e Elbasanit, Dr. Ahmet Alliu, doktori i njohur në Spitalin e Peshkopisë, dhe motra që ndodhet në Tiranë profesoresha Hike Alliu Shehu, janë shëmbëlltyra e familjes së Mine Alliu Rexha.

Minja në Shtetet e Bashkuara, kishte prej vitesh kushërinjtë e saj Samiu, Petriti edhe Basri Alliun, kushërinj që e donin edhe e respektonin si nji motër.

Jeta e gjatë kësaj gruaje, ishte plot sakrifica ashtu si ka qenë jeta për të gjitha gratë shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e trojet shqiptare.

Ngaqë ajo u martua në fshatin kufitar Solokiq- Dibër e Madhe (tani Maqedoni e Veriut) fshat ky që ngeli pas luftës në anën e Jugosllavisë, Minja mbeti e ndarë me familjen e saj, për afro 40 vjet.

Në barrën e rëndë të mundimeve dhe vuajtjeve të saj , shpirtërore, mbetet e pashlyer nga mendja e familjareve, kur në moshën e re iu sëmurë burri i saj Bexhet Rexha, i cili pas 4 vjet vuajte , vdiq në Shtator 1961.

Duke, e lënë gruan Minen, në krye të shtëpisë, me katër fëmijë, ku më madhi ishte Akiu (14 vjeçar), Atija (11 vjeçe), Haxhiu (9 vjeçar) edhe Murati (6 vjeçar).

Kështu që Minja u bë burrëreshë, në shtëpinë e saj. Jeta me sakrifica të mëdha e mundime, deri sa ajo ia arriti, t’i rrisin, i edukojë edhe shkollojë, të katër fëmijët e saj, “me nder e me djersën e saj, “pa ja shtrirë dorën kërkujtë”, i thonë Dibëranët.

Pas nji jete shumë të vështirë prej afro 20 vitesh, deri sa fëmijët ju bënë “krah”.

Ajo arriti ti realizoj të gjithë dëshirat, arriti frytet e jetës. Pas shkollimit të fëmijëve i martoj të gjithë fëmijtë, me familje të shkëlqyera, duke u bërë miq, me familjet më të njohura dibrane. Minja arriti edhe ti shikojë dhe të përjetojë gëzimin e lumturinë, deri në martesat e të gjithë nipërve, edhe të mbesës.

Ajo u bë shtetase Amerikane, tri dekada më pare, dhe e ndau jetën tre dekadat e fundit mes Dibrës dhe Amerikës(gjatë e verës kalonte në Dibër, kurse dimërin në Amerikë).

“Jetëgjatësia e saj,” thonë fëmijët, “ishte Zoti, ishte puna e saj, thjeshtësia, dhe natyra e Dibrës, ishin gëzimet, harmonia edhe lumturia në familje. Ngase, ajo gëzonte respekt të madh, nga të gjithë, veçanërisht “jetëgjatësi” Minja, kishte nga fëmijët, e saj, nuset e tyre, nipërit, mbesat, stërnipërit e stërmbesat”.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat