Ekspozitë me rastin e Epopesë së lavdishme të Jasharjave, në Konsullatën e Kosovës në New York

Amerika

Ekspozitë me rastin e Epopesë së lavdishme të Jasharjave, në Konsullatën e Kosovës në New York

Nga: Beqir Sina - New York Më: 5 mars 2022 Në ora: 01:13
Pamje nga ekspozita

New York: Në organizim të Konsullatës së Kosovës dhe në përkujdesjen e Ambasadorit Frymëzim Isufaj, piktori shqiptaro-amerikan, prof. Nazmi Hoxha, të enjtën mbrëma ka hapur ekspozitën me piktura, ku në fokus janë figura të shquara të patriotëve nga Kosova, por edhe figura të njohura të artit, letërsisë e humanizmit. Nuk kanë munguar as punime të tjera në të cilat piktori ynë i njohur, i cili tash e sa vite jeton në Nju Jork, ka derdhur mundin dhe talentin e tij.

Në hapjen e kësaj ekspozite, përveç ambasadorit Isufaj, konsullit Lulzim Krasniqi, morën pjesë edhe një numër i konsideruar shqiptaro-amerikanësh, emra të njohur të artit, kulturës dhe biznesit.

Në fjalën e tij ambasador Frymëzim Isufaj lavdëroi punën e piktorit Hoxha dhe falënderoi atë për kontributon e tij në fushën e artit figurativ. Ndërkaq edhe profesor Nazmi Hoxha falënderoi Konsullatën e Kosovës për punën e mirë që është duke bërë edhe në afirmimin e vlerave kombëtare e kulturore në SHBA. Piktori deklaroi se pikturat e tij të ekspozuara do të jenë dhuratë për Konsullatën, të cilat një ditë ndoshta do të arkivohen në arkivin e saj dhe të Kosovës.

Image
Pamje nga ekspozita

Fjala e Ambasador Frymëzim Isufaj:

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit që keni gjetë kohë të jeni me ne sonte. Jo rastësisht kemi përzgjedhë këtë ditë për të bërë hapjen e kësaj ekspozite të Piktorit Nazmi Hoxha. Sot, më shumë se asnjëherë më parë, duke parë edhe zhvillimet e fundit që po ndodhin në Ukrainë, e kuptojmë edhe më tepër çmimin e lirisë, se sa e shtrenjtë është ajo, dhe sa sakrificë është nevojitur që sot Kosova të jetë e lirë. Datat 5, 6, dhe 7 Mars janë datat e themelit të lirisë së Kosovës. Ajo që ndodhi 24 vjet më parë, në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikal, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Fillim Marsi i vitit 1998 ishte i rëndë për familjen Jashari, por edhe gjithë Kosovën, ku 55 anëtarë të kësaj familje, në mesin e tyre mbi 20 gra e fèmijë, u flijuan për Kosovën. Me të drejtë, datat 5, 6 dhe 7 Marsi 1998, janë cilësuar si: • Beteja që përcaktoj të ardhmen e shqiptarëve. Beteja që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve. Beteja që frymëzon çdo atdhetar. Në nderim të këtyre datave të rënies heroike të familjes Jashari, ne përmes kësaj kanë frymëzuar edhe autorin e ekspozitës. Ju falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen.

Image
Pamje nga ekspozita

Një piktor shqiptar në Bronks të Nju Jorkut e ka kthyer shtëpinë në studio, ku ushtron artin për kënaqësinë e tij dhe jo për të fituar.

Vitin e kaluar gazetari njohur i Zerit të Amerikës, Ilir Ikonomi ishte në shtëpinë e piktorit Nazmi Hoxha dhe bisedoi me të për eksperiencën e tij amerikane.

Nazmi Hoxha erdhi në Amerikë nga Shqipëria para 11 vjetësh dhe që nga ajo kohë nuk ka rreshtur së eksploruari atë që gjeti të re në këtë vend, tha Ikonomi.

Image
Pamje nga ekspozita

Ai thotë se Amerika është një vend me një hapësirë të jashtëzakonshme. Dhe piktura menjëherë, nga vertikale që e kishte për natyrën në Shqipëri, në hapësirën amerikane merr më shumë një dimension horizontal.

Rezultat i këmbënguljes së tij janë qindra piktura që rrinë si në një magazinë arti, një pjesë në mure, një pjesë në dysheme. Në fakt është shtëpia e tij, dedikuar e gjitha pikturës.

Amerika i shtoi tema dhe subjekte punimeve të tij.

Nazmiu e zotëron ngjyrën, e vesh atë me dritë, luan me energjinë dhe misterin e saj. E sidomos lufton të jetë i veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat