Hartsdale, NY – 7 Shtator 2025 – Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, shënoi 9-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës me një meshë solemne dhe një tubim përkujtimor që bashkoi mbi 300 pjesëmarrës, përfshirë personalitete të shquara të komunitetit shqiptar nga të gjitha besimet.
Ngjarja, e mbajtur në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, sipas njoftimeve në rrjetin social facebook u shoqërua me një drekë familjare të pasur me ushqime tradicionale shqiptare, pije, këngë dhe valle, duke nderuar trashëgiminë e shenjtores shqiptare që u bë ikonë globale e dashurisë dhe bamirësisë.
Një Festë e Shenjtë dhe Kombëtare:
Më 5 shtator, për të akomoduar besimtarët, të cilët shpesh punojnë gjatë javës, Kisha “Zoja e Shkodrës” zgjodhi të dielën, 7 shtator, për të kremtuar këtë përvjetor të shenjtë.
Mesha, e cila filloi pas liturgjisë së zakonshme të së dielës në orën 13:00, u celebrua nga famullitari Dom Pjetër Popaj, së bashku me Eminencën e Tij, Kardinal Ernest Troshani, dhe At Gazment Tinaj, të cilët udhëtuan posaçërisht nga Shkodra për këtë ngjarje.
Pas meshës, në sallën “Nënë Tereza”, u mbajt një ligjëratë ku folësit ndanë refleksione mbi jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të shenjtores.
Një komunitet që ndërthur besimin dhe kulturën Kisha “Zoja e Shkodrës” dallohet në komunitetin shqiptar të Amerikës jo vetëm për përhapjen e frymës fetare, por edhe për kultivimin e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.
Dom Pjetër Popaj, në fjalën e tij, falënderoi organizatorët, përfshirë kryetarin e kishës, Ndrek Tonaj, dhe kryetarin e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, Mark Berishaj, për përkushtimin e tyre në realizimin e këtij eventi të shenjtë.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për Kardinal Ernest Troshanin dhe At Gazment Tinaj, të cilët nderuan komunitetin me praninë e tyre nga Shkodra, si dhe të gjithë kontribuuesit që bënë të mundur këtë kremtim.
Ligjërata dhe kujtime për Nënë Terezën:
Pas meshës, Kryetari Ndrek Tonaj prezantoi folësit, duke i dhënë fjalën fillimisht Prof. Gjon Frani Ivezaj, një historian i njohur në trojet shqiptare dhe më gjerë, i cili ka marrë pjesë në simpoziume ndërkombëtare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe SHBA.
Prof. Ivezaj mbajti kumtesën me titull: “Nënë Tereza – Shenjta Shqiptare, Zëri i Zotit dhe Nëna e Botës”, ku theksoi rrënjët shqiptare të Nënë Terezës dhe ndikimin e saj global si një simbol i dashurisë dhe bamirësisë,kumtesën e plotë e gjeni né fund të këtij shkrimi.
Një tjetër folës i shquar i kësaj veprimtarie përkujtimit të 9-vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës, ishte Gjekë Gjonlekaj, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” dhe aktualisht publicist dhe botues në New York.
Gjonlekaj ka ndarë shpesh herë kujtime personale nga takimi i tij me Nënë Terezën gjatë vizitës së saj në SHBA në vitin 1988, ku ajo foli disa fjalë në shqip, mbasi ai është i pari dhe i vetmi gazetar shqiptar që ka intervistuar Nëna Terezen.
Madje dëshmi për këtë është dhe një video e rrallë, e ruajtur nga Gjonlekaj, dhe e vendosur né Youtub e cila mbetet një dëshmi e veçantë e lidhjes së Nënë Terezës me rrënjët e saj shqiptare. (Video: https://youtu.be/TQsLEuvfh2I).
Një trashëgimi e përjetshme:
Nënë Tereza, e lindur si Gonxhe Anjezë Bojaxhiu më 1910 në Shkup, në një familje shqiptare të rrënjosur në besim dhe dashuri për të varfërit, themeloi Urdhrin e Misionareve të Bamirësisë në vitin 1950. Ky urdhër tani ka mbi 500 qendra në më shumë se 120 vende, duke ofruar ndihmë për të varfërit, të sëmurët dhe të harruarit. Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen, të cilin e dedikoi për të uriturit dhe të pastrehët, duke shndërruar fondet e çmimit në bukë dhe ilaçe për të varfërit e Kalkutës.
Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumë, dhe në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shenjtore të Kishës Katolike, duke njohur mrekullitë e saj dhe shenjtërinë e saj të jashtëzakonshme.
Ajo u quajt “Nëna e të gjithë njerëzimit” nga ish-Presidenti George Bush Sr. dhe “ambasadore e ndërgjegjes së botës” nga liderë globalë.
Një Komb i Vogël, një Figurë e Madhe:
Nënë Tereza mbetet një krenari e pashuar për kombin shqiptar. Ashtu si Shën Jeronimi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe At Gjergj Fishta, ajo është një dhuratë e popullit shqiptar për botën.
Në sallën “Nënë Tereza” të Kishës “Zoja e Shkodrës”, komuniteti shqiptar i Amerikës u bashkua për të nderuar jo vetëm një shenjtore, por një epokë të dashurisë dhe paqes që vazhdon të ndriçojë botën.
Fjala e plotë e Prof. Gjon Frani Ivezaj :
"Nënë Tereza – Shenjtja Shqiptare, Zëri i Zotit dhe Nëna e Botës!"
Të nderuar motra e vëllezër, të dashur miq, poetë, shkrimtarë, intelektualë, bashkatdhetarë të respektuar, personalitete të jetës kulturore, politike e fetare, dhe ju gazetarë që do ta përcillni këtë fjalë në faqet e historisë – sot më është dhënë bekimi dhe privilegji më i madh të qëndroj para jush, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York, në sallën që mban emrin më të shenjtë për ne, emrin që na bën krenarë para botës: “Nënë Tereza.”
Me nderim të veçantë falënderoj meshtarin e devotshëm, Dom Pjetër Popaj, udhërrëfyesin shpirtëror të këtij komuniteti, falënderoj kryetarin e Kishës, z. Ndreu Tonaj, kryetarin e kësaj salle, z. Mark Berishaj, dhe të gjithë organizatorët e këtij tubimi solemn. Sot kemi nderin të jemi bashkë jo thjesht për të kujtuar një emër, por për të përkujtuar një epokë, një dritë, një shenjtëri që ndriçoi botën dhe e bashkoi njerëzimin nën një flamur të vetëm: flamurin e dashurisë dhe të paqes.
Nënë Tereza, Gonxhe Anjezë Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare të rrënjosur në besim, dashuri e atdhetari. Babai i saj, Nikollë Bojaxhiu, ishte burrë që ndihmonte të varfrit dhe punonte për çështjen shqiptare; nëna e saj, Drane Bojaxhiu, i mbolli që në fëmijëri fjalët e arta: “Mos le të largohet ndokush prej teje pa u ndier më i gëzuar e më i mirë.” Nga kjo shtëpi, nga ky gjak, u lind zemra që do të bëhej nënë e njerëzimit.
Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ajo la vendlindjen dhe mori udhën për në Dublin, ku iu bashkua Motrave të Loretos. Aty u përgatit shpirtërisht dhe akademikisht, studioi pedagogjinë dhe mori emrin Tereza, në nder të Shën Terezës së Lisieux-it, shenjtores së dashurisë dhe përvujtërisë. Në vitin 1929 u dërgua në Indi. Fillimisht shërbeu si mësuese, por pamja e varfërisë dhe vuajtjes në rrugët e Kalkutës i dogji shpirtin. Në vitin 1950, me bekimin e Selisë së Shenjtë, themeloi Urdhrin e Misionareve të Bamirësisë, i cili sot numëron mbi 500 qendra në mbi 120 shtete të botës: spitale, shkolla, jetimore, shtëpi për pleqtë, për të sëmurët terminalë, për lebrozët dhe për të gjithë ata që shoqëria i kishte harruar.
Ajo u bë ndërgjegjja morale e shekullit XX. Ajo nuk njihte kufi, nuk njihte gjuhë, nuk njihte fe – njihte vetëm fytyrën e Krishtit tek i varfri, tek i urituri, tek i sëmuri. Në jetën e saj, ajo u takua me papë dhe presidentë, me mbretër e ambasadorë, me njerëz të thjeshtë e me të sëmurët e rrugës. Ronald Reagan e quajti “zëri i Zotit në ndërgjegjen e botës.” George Bushi i Vjetër e përshkroi si “nënën e të gjithë njerëzimit.” Bill Clintoni tha: “Ajo është mikja më e madhe e të varfërve që ka njohur bota.” Barack Obama e përmendi si “shembullin më të pastër të dashurisë njerëzore.” Papat e Romës, nga Piu XII deri tek Gjon Pali II e Françesku, e panë tek ajo Ungjillin e gjallë. Selia e Shenjtë ruan sot me nder çdo fjalë të saj, çdo ligjëratë, si testament i përjetshëm i mëshirës.
Në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqen në Oslo. Në vend që të shijonte banketin e lavdisë, ajo tha: “Ky çmim nuk është për mua. Ky çmim është për të uriturit, për të pastrehët, për të gjithë ata që askush nuk i do.” Të gjitha fondet e Nobelit ajo i shndërroi në bukë dhe ilaçe për të varfrit e Kalkutës. Fjalimi i saj në Oslo mbetet një nga dokumentet më të shenjta të arkivave ndërkombëtare, ku ajo tha: “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit.”
Gazetat më të mëdha të botës – The New York Times, The Washington Post, Le Monde, The Guardian, Corriere della Sera – shkruan për të si për “shenjtore të gjallë.” Editorialet e tyre të asaj kohe ruhen sot si dokumente historike. Arkivat e OKB-së ruajnë fjalimet e saj në New York, ku ajo foli me thjeshtësi hyjnore: “Në këtë botë të madhe, e keqja më e madhe nuk është uria e trupit, por mungesa e dashurisë.” Ajo foli në Washington, në Bruksel, në Romë, në qindra konferenca botërore, dhe gjithmonë zëri i saj ndezi ndërgjegjet.
Nënë Tereza nuk ishte vetëm nënë e Kalkutës, por nënë e gjithë botës. Ajo ishte shqiptare, por i përkiste çdo kombi. Ajo ishte misionare katolike, por e donin myslimanët, ortodoksët, hebrenjtë, të gjithë besimtarët dhe të pabesët, sepse ajo fliste në gjuhën universale të dashurisë. Bota e nderoi me qindra medalje e dekorata. Universitetet më të njohura i dhanë tituj nderi. Kryeministrat dhe mbretërit u përkulën para saj. Biznesmenët më të mëdhenj të planetit financuan projektet e saj, dhe ambasadorët e shteteve të mëdha e përshkruan si “ambasadore e ndërgjegjes së botës.”
Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumë. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shenjtore të Kishës Katolike, duke i dhënë botës atë që ajo kishte qenë që në gjallje: shenjtore e dashurisë. Mrekullitë e saj, të pranuara nga Selia e Shenjtë, treguan shërime të papritura, ringjallje shprese dhe dëshmi të shenjtërisë. Ajo ishte shenjtore që kur ecte mes nesh, dhe sot është shenjtore e qiellit.
Por ajo që e bën këtë figurë edhe më të madhërishme për ne është fakti se ajo është shqiptare. Ashtu si tokës shqiptare i dha botës Shën Jeronimin, përkthyesin e parë të Biblës në latinisht, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, mbrojtësin e krishtërimit dhe të Evropës, At Gjergj Fishtën, poetin e madh të Lahutës së Malcis, po kështu ky popull i vogël i dha botës Nënën Terezë, shenjtoren e dashurisë universale. Nga një komb i vogël lindi një figurë që bashkoi botën.
Prandaj, të dashur miq, në këtë sallë ku fryma e saj na ndjek, le të ngrihemi në këmbë, sepse duke përmendur emrin e Nënës Terezë, ne nuk përmendim thjesht një njeri. Ne përmendim një epokë. Ne përmendim një shenjtëri. Ne përmendim shqiptaren që u bë nëna e botës, zëri i Zotit, dashuria e Krishtit e mishëruar në tokë.
Lavdi kujtimit të saj, dritë e përjetshme veprës së saj, dhe krenari e pavdekshme për kombin shqiptar.