Dioqeza Prizren-Prishtinë mbajti dje Akademinë Solemne kushtuar Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, si dhe në përurimin e librit “7 ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin”.
Ky aktivitet u zhvillua në qendrën Bogdanipolis pranë katedrales Nëna Tereze në Prishtinë, për të shënuar 30-vjetorin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Imzot Mark Sopit.
Me këtë rast u vlerësua jeta, vepra dhe trashëgimia e tyre e pavdekshme, që vazhdojnë të jenë udhërrëfyes për përkushtimin ndaj atdheut dhe bashkëjetesës.
Në qendër të kujtimit ska dyshim që qëndron edhe kjo dëshmia historike e Imzot Mark Sopit në Kongresin Amerikan, më 18 maj 2005. Në atë seancë dëgjimore, të organizuar me iniciativën dhe sponsorizimin e Ligës Qytetare Shqiptare-Amerikane nën drejtimin e ish-kongresistit Joe DioGuardi, Imzot Sopi udhëhoqi delegacionin e klerikëve katolikë të Kosovës. Bashkë me të ishin Dom Lush Gjergji , Dom Shane Zefi dhe ekspertja e Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi.
Në fjalën e tij para Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Imzot Sopi dha dëshmi të fuqishme për dy realitete thelbësore.
Së pari, ai theksoi se gjatë luftës në Kosovë feja kurrë nuk u përdor për të përçarë njerëzit:“Feja e shqiptarëve në Kosovë nuk i ndau komunitetet fetare gjatë luftës; përkundrazi, i bashkoi edhe më fort si vëllezër të një gjaku.”
Më tej ai solli një shembul prekës që tregon thellësinë e këtij uniteti:
“Kisha katolike shqiptare në Kosovë u bë strehë e sigurt për qindra familje myslimane shqiptare. Ato u ndien si në shtëpinë e tyre, bashkë me fëmijët e tyre.”
Këto fjalë nuk ishin vetëm përshkrim i një situate të kaluar – ato ishin dëshmi e gjallë e një modeli bashkëjetese që sfidoi logjikën e urrejtjes etnike dhe fetare.
Së dyti, Imzot Sopi e paraqiti qartë dhe pa hezitim qëndrimin për statusin e ardhshëm të Kosovës:
“Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që sjell vetëm paqe dhe siguri – jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin, për Evropën dhe për botën.”
Ai argumentoi se vetëm statusi sovran mund të shërojë plagët e viteve të fundit dhe të krijojë kushte të qëndrueshme për zhvillim dhe bashkëpunim në Ballkan.
Kjo dëshmi nuk mbeti pa ndikim.
Pjesëmarrja e një ipeshkvi katolik shqiptar në Capitol Hill, në një moment kaq delikat diplomatik, u vlerësua si kontribut i rëndësishëm në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar. Shumë analistë e lidhin këtë angazhim të hapur dhe të argumentuar me rrugën që çoi në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Imzot Mark Sopi (1938–2006), ipeshkvi i parë i Dioqezës së Kosovës pas viteve të vështira të regjimit komunist dhe të luftës, e pa fenë dhe atdheun si dy shtylla të pandashme. Për të, Kisha Katolike shqiptare nuk ishte vetëm vend i ritit, por edhe hapësirë e humanizmit, mbrojtjes dhe dialogut.
Sot, 20 vjet pas largimit të tij fizik, kjo trashëgimi mbetet aktuale. Në një kohë kur tensionet etnike dhe fetare ende kërcënojnë rajonin, shembulli i Imzot Sopit na kujton se uniteti ndërfetar nuk është vetëm mundësi, por edhe domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme.
Përjetësimi i figurës së tij mendojë se do të ishte jo vetëm nderim, por edhe mesazh për brezat e ardhshëm: se besimi dhe atdhedashuria, kur bashkohen me mençuri, krijojnë themelet e një shoqërie më të drejtë dhe më të bashkuar./Beqir Sina : Capitol Hill- Washington DC.18 maj 2005