Pavarësia e Kosovës, akti më madhor në historinë kombëtare

Amerika

Pavarësia e Kosovës, akti më madhor në historinë kombëtare

Nga: Skender Karaçica Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 15:47
Foto nga vendngjarja

Në kronikat e historisë dhe në arkivat kombëtare të diasporës shqiptare në Çikago gjendet një pasuri e madhe ngjarjesh në kërkim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga regjimi pushtues serbo-jugosllav, qysh nga vitet 1913–1999. Për këto vite, diaspora shqiptare kishte para vetes projektin kombëtar për mbrojtjen e të drejtës për liri, për pavarësi, për hapësirën e frymës së lirë në tokën e vet dhe para diellit si qytetar me tipare të qytetërimit evropian.

Diaspora shqiptare në Amerikë, tash e një shekull, ka qenë në krye të ngjarjeve kombëtare dhe përballë institucioneve të shtetit amerikan, në Senat e Kongres, si dhe në zyrat e diplomacisë, për të shpëtuar shqiptarët nga shfarosja në substancë e regjimit serbo-jugosllav me “kostumin komunist”, për tokën e djegur të Kosovës nga makineria ushtarako-policore e kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Në sallën e bukur të Chateau Ritz në Çikago, e stolisur me flamurin madhështor, kishin ardhur mërgimtarët shqiptarë, veprimtarë, intelektualë dhe biznesmenë, si dhe Drilon Zogaj, drejtues i Konsullatës së Kosovës në Iowa, bashkë me sekretarin e parë Fatmir Rrahmanaj, për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës – aktin më madhor të historisë kombëtare. Erdhi koha për të jetuar të lirë me vlerat e demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Pas intonimit të himnit të Kosovës dhe atij amerikan, të pranishmit i përshëndeti kryetari i shoqatës “Dardania”, Fatos Brahimi, i cili ndër të tjera theksoi se Dita e Pavarësisë ishte ëndrra e brezave dhe fryt i veprimtarisë kombëtare të diasporës në Amerikë për të pritur orën e historisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Festën e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Çikago e nderoi ambasadori William G. Walker me librin e tij “Reçaku: Historia e një krimi lufte”, ku me dhjetëra mërgimtarë, me interesim, e morën për lexim në bibliotekat e tyre si dëshmi e kohës së regjimit të Serbisë, të dyqind masakrave të dhimbshme deri në shkallë gjenocidi, si dhe e Reçakut – frymë e lëvizjes diplomatike dhe ushtarake për të shpëtuar Kosovën.

Me fjalë rasti, festën e pavarësisë në Çikago e uroi drejtuesi i Konsullatës së Kosovës në Iowa, Drilon Zogaj, duke uruar festën e historisë më të re kombëtare të shtetit tonë – të sotmen dhe të ardhmen evropiane.

Ndërkaq, me fjalën e mbajtur në këtë ditë feste e kujtese historike, profesor Skënder Karaçica foli për kohën (pa)të Gjykatës Politike në Hagë dhe përpjekjet e “ligjeve juridike” të prokurorisë me ato 50 mijë dosje të nëntokës së regjimit agresor të Serbisë, si dhe për dëshmitarët e natës së tradhtisë, që, sipas tij, krijuan frymë mosbesimi dhe shembje të vlerave të drejtësisë ndërkombëtare para syve të Evropës kundër motit “Liria ka Emër”!

Në dritën e skenarëve të kësaj gjykate, nënvizoi S. Karaçica, si është e mundur që profesor Jakup Krasniqi, si zëdhënës i UÇK-së që luftoi për liri dhe pavarësi të Kosovës, pa asnjë më të voglin ekses ushtarak kundër fëmijëve, pleqve dhe të tjerëve në familjet serbe – sepse djalëria e pushkëve për liri (UÇK-ja) bënte luftë të drejtë sipas normave të konventave ndërkombëtare të artit ushtarak – të përballet me akuza të tilla?

Ndërsa, në anën tjetër, vuri në dukje profesor Karaçica, në Beograd, në zyrën e kryekriminelit Millosheviq, zëdhënës i ushtrisë agresore e vrastare të Serbisë ishte Aleksandër Vuçiq, sot kryetar i Serbisë, i lirë dhe i përkëdheluri i Evropës, me buzë në gaz se si po shkelmohet drejtësia evropiane me krerët e UÇK-së në këtë gjykatë politike dhe kundër lirisë së Kosovës, tha në fjalën e tij profesor Skënder Karaçica.

Për angazhimin në frymë të drejtësisë, të diplomacisë dhe si vëzhgues ndërkombëtar në Kosovë, për të mos lejuar që të mbulohej e të fshihej krimi në shkallë gjenocidi në Reçak, KSHA në Çikago e nderoi me mirënjohje ambasadorin William G. Walker, i cili në kohën e skenarëve të vdekjes e të shfarosjes shqiptare tha të vërtetën për luftën e agresorit të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës.

Mirënjohjen ia dorëzoi kryetari Edon Shaqiri, në nderim të veprimtarisë së tij si diplomat dhe vëzhgues ndërkombëtar në krah të së vërtetës historike për lirinë e shqiptarëve të robëruar e të nënshtruar nga regjimi serbo-jugosllav.

Festimin e Pavarësisë së Kosovës në Çikago e bëri edhe më të bukur, me tiparet e pentagramit të këngëve shqiptare, vokali i këngëtares së njohur nga Drenica, Afërdita Demaku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat