Më 31 maj 2026, Wolfe’s Pond Park në Princes Bay, Staten Island, u kthye në epiqendrën e komunitetit shqiptar të New York-ut. Mbi 8,000 pjesëmarrës burra, gra, fëmijë e pleq nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare, u mblodhën për të festuar Piknikun e Katërt Vjetor Shqiptar.
Nga një ngjarje modeste me vetëm tri shoqata katër vjet më parë, ky aktivitet është rritur në një nga manifestimet më të mëdha kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë.
Organizatoret kryesore ishin Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Staten Island, së bashku me Shoqatën Ulqini-USA, Shoqatën Kraja, Ana Malit, Atdhetare Dibra, Kosova-NY, Malësia e Madhe, Skënderbej dhe disa të tjera.
Parku u mbush me flamuj kuq e zi, aroma të byrekut, qofteve, lakrorit dhe tingujt e muzikës tradicionale shqiptare.
Artistë si Indrit Mlika, Korab Jetishi, Valbona Peraj, Besim Muriqi, Flaka Kerlani, Greta Tafa, Taulant Baraliu dhe Andi Baraliu performuan live, duke bashkuar breza të ndryshme në një atmosferë festive.
Gazeta Staten Island Advance e përshkroi ngjarjen si një nga festimet më të mëdha kulturore të ishullit, duke theksuar unitetin kombëtar që shprehet nëpërmjet këtyre aktiviteteve.
Familjet shijuan ushqim tradicional, fëmijët luajtën, ndërsa të rinjtë kërcyen valle. Shitësit ofronin flamuj, veshje tradicionale dhe suvenire kulturore. U organizuan edhe aktivitete sportive si volejboll, futboll dhe shah.
Në këtë edicion morën pjesë personalitete të larta të Staten Island dhe New York-ut, mes tyre:
Borough President Vito Fossella, Kongresistja Nicole Malliotakis, District Attorney Michael McMahon, Assemblyman Michael Tannousis, Këshilltari David Carr, Senatorja Jessica Scarcella-Spanton dhe Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina.
Kryetarja e Qytetit të New York-ut ndau një çmim special për Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Staten Island, Naser Nika, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në komunitet.
Programin muzikor e kurorëzoi vetë Naser Nika, garat e shahut Imer Laçaj, ndërsa aktivitetet sportive Albert Salaj dhe Lulzim Popaj.
Organizatorja Tina Luna Lesevic u shpreh: “Ky është shumë më shumë se 8,000 njerëz. Është më i madhi dhe më i zhurmshmi që kemi parë ndonjëherë.” Suksesi i këtij pikniku tregon një unitet të ri mes shoqatave shqiptare, pa xhelozi e pa përçarje një mesazh i qartë bashkëpunimi.
Për shumë pjesëmarrës, dita ishte më shumë se argëtim ishte rikthim në rrënjë. “Këtu ndihemi si në shtëpi”, tha një nënë me fëmijë. Në një kohë kur diaspora përballet me sfida asimilimi, ngjarje të tilla ruajnë gjuhën, kulturën dhe lidhjen me atdheun.
Suksesi i Piknikut IV tregon se komuniteti shqiptar në Staten Island po rritet jo vetëm në numër, por edhe në organizim dhe vizion. Ai hap pyetjen e natyrshme: Si mund ta bëjmë këtë traditë edhe më të fortë, duke përfshirë më shumë të rinj dhe duke e lidhur më mirë me ndihmën konkrete për atdheun?