Korrupsioni në Shqipëri, si mbret në qeveri e shtet!?

Analizë

Korrupsioni në Shqipëri, si mbret në qeveri e shtet!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 1 prill 2026 Në ora: 09:46
Xhevat Mustafa

Pa “harruar” tendencën subjektiviste, hershëm e qartësisht ca proedramiste dhe me dozë “jugosllavizmi” të komisioneres Europiane për Zgjerim, Marta Kos si dhe debatin më 20 prill në Parlamentin Europian për përfoljet rreth mundësisë së qenies së saj në vitet e rinisë e lidhur me UDB- në, nuk mund të interpretohet si plotësisht raciste e krejt e pasaktë deklarata e saj për korrupsionin në Shqipëri, si një fenomen masiv shoqëror dhe shtetëror. Në një intervistë më 24 mars 2026, lidhur me situatën aktuale në Shqipëri dhe ecurinë e saj në procesin e integrimit, mes të tjerave, ajo deklaroi: “...Një tjetër çështje me anti-korrupsionin, e cila do të thoja se është tipike për të gjitha vendet kandidate, ju e dini, mund të keni legjislacionin më të mirë për luftimin e korrupsionit, por nëse korrupsioni është i pranuar (masivisht) në vend, atëherë keni një tjetër problem, që kërkon kohë të kapërcehet...” Pra, Marta Kos, pa bërë avokaten mbrojtëse të maleve të korrupsionit qeveritar e pa fajësuar opozitën se mund të ketë mbyllur sytë, veshët, gojën ndaj kësaj të keqeje gjithë shtrirëse jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera kandidate dhe anëtare, në fund të fundit thotë një të vërtetë. Të hidhur, si shumica e të vërtetave, por edhe që nuk meriton të anatemohet. Mesazhi i saj në SHQIP, lidhur me këto maja që ka arritur korrupsioni në Shqipëri, është lehtësisht i nënkuptueshëm:”Koka bën, koka pëson!” Për të qenë objektivë dhe realistë, të paktën prej rreth 35 vitesh, me 23 vite qeverisje nga PS e 12 vjet qeverisje nga PD, me kulme vitet 2000-2005 dhe 2013-2026, e kemi parë, kuptuar dhe përjetuar rritjen e përshpejtuar, masivizimin dhe plotpushtetizimin apo pranimin de facto nga shumica e popullit të korrupsionit në jetën e përditshme e në shumicën e ambienteve, ku i kanë çuar problemet dhe kërkesat individuale, familjare, qytetare, juridike, pronësore, arsimore, sociale...Në këtë drejtim sikur ka pasur një marrëveshje të pashkruar e të pa legalizuar mes shoqërisë dhe qeverive, sidomos me pushtetarët dhe politikanët e niveleve të lartë e të mesëm. Teksti i kësaj marrëveshjeje mund të formulohet afërsisht kështu: “...ne si qeveritarë dhe pushtetarë po ju lejojmë të zgjidhni halle e punë nëpër zyra e spitale nëpërmjet zarfeve mbush me para shqiptare e të huaja, ju mos u ndjeni ndaj korrupsionit tonë nëpërmjet lejeve të bizneseve tregtare e të shërbimeve; të ndërtimit e të turizmit; të tenderëve, koncesioneve, PPP-ve, “investimeve strategjike”, status falë “investitorëve” shqiptarë, turq, kinezë(“Bankers Petrolium”), rusë, grekë, arabë, italianë... Gjithashtu, edhe nëpërmjet formave të tjera, si të “shpronësimeve për interesa publike”, të “paketës së maleve”, (paradoksalisht e jo rastësisht, me zbatim më shumë në zona fushore dhe kodrinore se sa në male e në faqe të tyre në lartësi dhe masivisht) falur njerëzve me lidhje dhe vota prej shumë vitesh dhe betejash zgjedhore parlamentare e për pushtetin vendor, për ne si parti e si qeveri !? Mund të vazhdohet me abuzimet korruptive në dhjetëra miliona euro nga financimet e BE-së në bujqësi, shëndetësi, arsim, shkencë, kulturë, infrastrukturë...!

shumica e popullit nuk ngrihet masivisht pa dallim partie të protestojnë deri në largimin dhe arrestimin e pushtetarëve të lartë të korruptuar, zonjës Marta Kos i lind e drejta të mendojë dhe mbrohet se me aq sa thashë "nuk u kam rënë fare kot në qafë shtetasve të Shqipërisë! Me këtë qëndrim pasiv dhe indiferent ata e kanë pranuar në heshtje korrupsionin qeveritar dhe bashkëjetojnë paqësisht me atë"!? Vërtetë korrupsioni nuk është prodhim "Made in Albania", por në këtë truall e në shumicën e kokave shqiptare, sidomos në vitet e parë pas 1990, gjeti shesh e prej 35 vitesh po bën përshesh!? Një rol dhe ndikim të ndjeshëm për masivizimin dhe plot pushtetizimin e kësaj të keqeje kanë pasur dhe kanë plot emigrantë, Duke pasur me bollëk lireta, dhrahmi, marka, franga, sterlina, dollarë e pak ditë në dispozicion, edhe pse, paradoksalisht, vinin nga vende ku ky fenomen ishte praktikë individësh të rrallë dhe e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, nuk u janë dridhur zemrat dhe duart me mbush xhepat e zyrtarëve dhe mjekëve në Shqipëri me zarfe e shuka të rëndë me para për të mbaruar punë pa respektuar radhë dhe sa më shpejt!? Pas tyre, shumë shqiptarë të tjerë, që u pasuruan nga firmat piramidale, bizneset dhe trafiqet e shumëllojshme, nga rrugë edhe të jashtëligjshme, u përfshinë në zgjidhjen e halleve po me zarfe, forma e rrugë korrupsioni! Kjo u bë e pashmangshme edhe për shumicën e hallexhinjve apo varfanjakëve me paga e pensione të ulëta, allashqiptare...Kështu, vetë shumica e popullit apo shoqërisë i mësuan keq zyrtarët dhe punonjësit e shëndetësisë, duke ua bërë ves, praktikë, traditë, ligj të pashkruar...Hallexhinjtë hynin deri në fyt në borxhe, për tu mbushur xhepat e mëdhenj zgjidhësve të halleve të tye!? Ose, shisnin tufa me dhen e dhi, qengja e keca, derrash e dosash..., copa kopshtesh dhe tokash...! Edhe sipas shprehjes popullore "shih rrushi rrushin e piqu!", korrupsioni u shtri nëpër institucione të qeverisjes qendrore dhe vendore, për shitje lejesh biznesesh, ndërtimi, tenderësh, koncesionesh, PPP- shë si dhe vendesh pune dhe postesh drejtuese...Në fushën e arsimit për blerje të drejtash studimi, notash, dëftesash, diplomash, titujsh shkencorë, vendesh pune nëpër shkolla... Për korrupsionin e pafre në epokën e Rama- qeverisjes, mund të kujtohen disa raste të freskët që mbajnë erë të rëndë korrupsioni...Mes tyre shquhen dhjetëra e qindra milionë eurot "e humbur" për inceneratorë në punë ose në letra; dy anijet energjetike në Vlorë, Tigri 1 dhe Tigri 3, që deri tani kanë përlarë rreth 100 milionë dollarë, pa dhënë as 1 të dhjetën e investimit; projektet në aeroportin e Vlorës, në Portin e Durrësit...Krahas këtyre, edhe rrugët dhe tunelet "made bay Linda Balluku", me kosto 4-5 fish më shtrenjtë metri katror dhe kilometri se sa në Kroaci, Kosovë, MV...e që pësojnë shembje e bllokime qysh nga muajt e parë të hapjes për qarkullim!? Kësaj liste mund ti shtohen kultivimi dhe trafikikimi i kanabizit shqiptar dhe eksportimi nga vende të Amerikës Latine...Frute të tyre ishin edhe fuqizimi i industrisë së spastrimit të parave të pista nga shumë vende të afërta e të largëta; kullat e shumta 20-35 katesh në Tiranë e disa qytete të tjerë; komplekset turistike në plazhe; komplekset e mëdha tregtare... Siç është njoftuar në disa media shqiptare, më 23 mars 2026, “...Kompania “Tete Albania Tunnel & Mining”, në pronësi 51% të grupit ILBAK Holding, me aksionerë Murat dhe Mustafa Ilbak, prej vitesh kryen aktivitetin e saj të kërkim–zbulimit të mineraleve me vlerë, edhe ar apo flori, në vendin tonë, në zonën e Mirëditës, në shkelje të ligjit, duke mashtruar me bilancet dhe kontratën koncensionare, duke shkelur të drejtat e punonjësve, duke pastruar para etj....Në muajin mars 2025, mediat turke kishin raportua se aksionerët e Ilbak Holding u arrestuan për mashtrime financiare, tendera korruptivë dhe akuza për lidhje me terrorizmin. Aktualisht, shumë prona, llogari bankare dhe asete kompanish të grupit Ilbak Holding janë sekuestruar nga shteti turk...”!?

Këtij skandali mund ti shtohet edhe lajmi i publikuar në mediat greke “për një investim gjigand greko-amerikan” në minierat e nikelit dhe kobaltit në Bilisht të Korçës. Sipas gazetave greke, Aktor Group e Greqisë dhe BNI Foundation kanë nënshkruar një marrëveshje për të investuar 1 miliardë euro në këto miniera. Por disa gazeta greke si Prototema flasin për një marrëveshje mes “Aktor” dhe një kompanie të quajtur Brightnest shpk, e themeluar në tetor të vitit të kaluar, me një kapital prej 100 lekësh ose 1 euro dhe me pronar një emër të njohur për projekte fantazmë, si Mirsad Uruçi. Përvecse përfaqëson kompaninë serbe të energjisë, EFT, emri i Uruçit doli në publik edhe në koncesionin e famshëm të centralit diellor të Akërnisë, që nuk u realizua asnjëherë.

Fatkeqësisht, “virusi” apo “epidemia” e korrupsionit, ngjashëm si Covid 2019, u fut dhe u përhap gjerësisht e me shpejtësi edhe në Kosovë. Edhe pse nuk ka përmasat dhe plotpushtetshmërinë e Shqipërisë, përsëri është i ndjeshëm dhe shqetësues edhe në shoqërinë kosovare!

Kjo shtrirje mbarë vendore e gjerësisht shoqërore, si dhe shndërrimi në kokat e shumicës së shoqërisë në mendësi dhe filozofi zgjidhëse e çdo problemi, i bëri edhe më të vështira e më pak të suksesshme përpjekjet për kufizimin dhe për shpëtimin e plotë dhe përfundimtar prej korrupsionit, që u lejua gjatë 35 viteve të bëhej de facto, edhe nën hundën e institucioneve të drejtësisë, shtet mbi qeveri e mbi shtet! Domosdoshmërisht, shpresa e vetme mbetet ndërgjegjësimi i vullnetshëm apo me forcën e ndëshkimeve ligjore i popullit se duhet dhe mund t'i bëjnë punët dhe zgjidhin problemet pa zarfe! Edhe i zyrtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë, drejtësisë, administratës, hipotekave, kadastrave, arsimit, kulturës, policisë, burgjeve..., që me pagat aktuale në rritje dhe me përfitimet nga dy punësimi, edhe në biznese, kompani e spitale private ose vetëm nëpër bordero, të tregohen me ambicie më të përmbajtura për t'u pasuruar në rrugë dhe forma korruptive sa më shumë e më shpejt financiarisht dhe me prona të paluajtshme, me vila e pallate në qytete dhe në plazhe...! Pasi të çlirojnë vetvetet, sallat dhe zyrat e tyre nga tentakulet e korrupsionit, institucioneve të drejtësisë u del detyra e dytë apo mrekullia, që të nisin dhe kryejnë me sukses të plotë procesin e hetimit dhe sekuestrimit të gjithë pasurive dhe pronave të krijuara nga burime korruptive, në të tre nivelet e shoqërisë dhe të piramidës qeverisëse e shtetërore!

Do të jetë një luftë e gjatë, e mundimshme, me plot pengesa e që mund të zgjasë me vite! Fillimi i kësaj lufte, me kapje në rrjeta e grepa, më se shumti "të peshqve të vegjël e shumë më pak të peshkaqenëve të mëdhenj", kullufitësh të pamëshirshëm dhe të pangopshëm milionash dhe miliardash në euro, nuk jep arsye të mendohet me optimizëm për dëshirë dhe vullnet të plotë për ta fituar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat