Është koha që shteti të mendojë për stadiume të atletikës në Kosovë! Kaçanolli vajton...

Atletika

Është koha që shteti të mendojë për stadiume të atletikës në Kosovë! Kaçanolli vajton...

Nga: Kemajl Goca Më: 3 gusht 2022 Në ora: 19:33
Shtegu me tartan në Mitrovicë

Atletika është sporti më i shkelur në shtetin e Kosovës.

Atletët dhe atletet vuajnë për një shteg me tartan. 

Klubet përgatiten si munden nëpër fusha e nëpër male në mungesë të stadiumeve të atletikës!

Kosova ka talente të atletikës por mjerisht nuk ka stadiume të atletikës, të paktën të ndërtohen dy apo tre stadiume me kapacitete deri 1 mijë ulëse, që nuk do të kushtojnë shumë nga ana financiare. 

Është koha që shteti të mendojë për ndërtimin e stadiumeve të atletikës pas atyre palestrave sportive që u ndërtuan dhe janë një mrekulli në vete.

Edhe atletika me kushte më të mira mund të arrijë shumë më shumë në rrafshin ndërkombëtar.

Është mëkat ku stërviten atletët e Prishtinës, Roganës, Besës së Pejës. Llapit të Podujevës, Burimit, Fushë Kosovës, Malishevës, Junikut etj. pa harruar edhe klubet e Mitrovicës, ku shtegu i atletikës në stadiumin “Adem Jashari” nuk është si duhet! 

Kryetrajneri i Prishtinës, Kadrush Kaçanolli, vajton kushtet se si stërviten, në shumë raste nuk iu lejohen të stërviten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për shkak të aktiviteteve ndërkombëtare që ka futbolli.

Kjo është për dhimbje koke! Ky është një zhgënjim për atletin e atleten, që edhe këta janë Kosovë!

Tash e 23 vite pas luftës, është koha të mendohet dhe projektohet ndërtimi qoftë edhe i një stadiumit por vetëm me standarde ndërkombëtare, një stadium i posaçëm për atletikën!  

 “Kushtet nuk i kemi kurrqysh. Kur jemi në vlugun e garave, nuk mundesh të stërvitesh në stadium të Prishtinës, nuk lejohet sipas rregulloreve kur kanë ndeshje ndërkombëtare. Me vrapuar në dhe pastaj në tartan është vështirë.

Bash kur kemi gara, kur na duhet më së shumti nuk mundemi të stërvitemi në stadium”, është ankuar Kaçanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat