Rama: Fitoi në një vend pa pistë atletike

Atletika

Rama: Fitoi në një vend pa pistë atletike

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 12:50
Rama e Gega

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti fjalën e tij të rastit në ceremoninë e pritjes së Luiza Gegës, kampiones së re të Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, teksa theksoi se ajo dhuroi imazhin e një Shqipërie që ia del.

“Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie. Sipërmarrja e saj është marramendëse, pasi dhuroi imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve.

Është e pamundur të mos e imagjinosh se çfarë do të thotë kjo.

Të jesh Kampione Europiane në një vend që pistën e parë normale të atletikës e ka ndërtuar vetëm tani, do të thotë t’u thuash të gjithëve se asnjë arsye, asnjë pengesë dhe asnjë distancë, sado objektive, nuk të pengon të ngjitesh në majë, nëse ti je i vendosur dhe ke paguar çmimin e sfilitjes, gjakut, lotëve dhe djersës”, tha Rama.

Në fund kryeministri nderoi Luiza Gegën me “Urdhrin e Mirënjohjes Publike”, teksa pati një mesazh edhe për kritikët.

“Shqipëria i shpërblen sportistët sot më shumë sesa shumë vende të tjera, që janë shumë më të suksesshme. Ndoshta ata kanë kampionë më shumë se ne, por e vërteta është kjo, që ne mbështesim më shumë. Nuk flasim për shifra, por shpërblimi për Luizën është i paimagjinueshëm për ata që ndërronin shtetësinë dikur, për të garuar nën flamuj të tjerë. Jo se ata ishin tradhtarë, por ishin tradhtuar nga ata njerëz, që sot hedhin baltë.

Sot ne shpërblejmë më shumë se në ato vende ku iknin sportistët tanë dikur. Edhe kjo medalje, Kordoni i Madh i Urdhrit të Mirënjohjes Publike, është thjesht shprehja e admirimit, respektit dhe mirënjohjes, por nuk e kompenson dot, pasi asnjë medalje dhe shpërblim nuk e kompenson sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën e Luizës. Në këtë medalje është hija e atletit të parë të kombit shqiptar, atletit të Lirisë, Gjergj Kastrioti”, tha Rama.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat