Medalisti i botërorit rrëfehet

Atletika

Medalisti i botërorit rrëfehet

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 14:46
Medalisti i botërorit rrëfehet

Atleti 27-vjeçar britanik Matt Hudson-Smith, fitues i medaljes së bronzit në garën e 400 metrave në botërorin e zhvilluar në Eugene (Amerikë) këtë verë, ka rrëfyer se jeta për të ka qenë shumë e vështirë gjatë viteve të fundit.

I dëmtuar disa herë në 3 vitet e fundit, fillimisht në thembën e Akilit, më pas në tendinat e gjurit dhe në shpinë, ai ka kaluar në depression, pasi nuk arrinte të garonte. Ndaj për të, medalja e bronztë në një botëror është e barazvlefshme me një triumf.

Vite të vështira për Hudson-Smith, që përveçse me dëmtimet fizike ka luftuar edhe me gjendjen e rënduar psikologjike. Ai ka patur borxhe, ndërkohë që pandemia Covid-19 ndikoi që gjendja psikologjike të acarohej edhe më shumë.

“Kam patur probleme të mëdha psikologjike, sidomos në vitin 2021. Pak veta e dinë që kam tentuar ‘i jap fund jetës. Garoja duke e ditur që isha i plagosur në shpirt, duke mos dhënë 100% të vetes time. Nuk mora dot pjesë në Olimpiadë për shumë arsye”, tha britaniku.

“Shumë njerëz pranë meje mund të ishin dorëzuar nga mënyra se si u flisja, por më qëndruan pranë. Më dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme. Kur mbeta i bllokuar në Amerikë prej pandemisë, për pak u bëra elektriçist”, u shpreh Hudson-Smith.

“Gjithnjë e kam ditur se mund të arrija te medalja, pasi kisha potencial dhe ia dola mbanë. Ajo medalje është e rëndësishme për mua. Mund të kisha fituar edhe të artën, por e ardhmja është përpara. Ajo medalje pas këtyre 3 vite makthi është e rëndësishme për mua”, tha Hudson-Smith.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat