Gega: Të mbështetet rrugëtimi i sportistit për të arritur rezultate, jo vetëm rezultati!

Atletika

Gega: Të mbështetet rrugëtimi i sportistit për të arritur rezultate, jo vetëm rezultati!

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 11:34
Gega

Atletja Luiza Gega fitoi Medaljen e Artë në Kampionatin e Atletikës që u zhvillua në Mynih, duke u shpallur Kampione e Europës në 3,000 metra me pengesa dhe duke e çuar në total dy numrin e Medaljeve të Arta për atletikën shqiptare pas asaj të Izmir Smajlja.

Në një intervistë për “Monitor”, ajo frymëzon të rinjtë që të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe nxit vendimmarrësit të përmirësojnë kushtet e financimit për të rritur sportistë të rinj…

Sa e vështirë është të jesh sportist në Shqipëri?

Të jesh sportiste nuk është e vështirë. Por të kërkosh të kesh objektiva të mëdha, aty nis vështirësia. Unë kam hasur disa probleme. E kam nisur sportin që fëmijë, sepse më pëlqente të argëtohesha, atëherë kur nuk e di se si është në të vërtetë apo a do jetë ky profesioni yt i ardhshëm. E kam nisur këtë rrugë 14 vjeçe, në Durrës. Nuk kisha mbaruar ende klasën e tetë, dilja mirë dhe e shihja si pasion.

Më vonë ndoqa Fakultetin e Sporteve në Tiranë, ku përsëri isha shumë mirë me normat. Më pas çdo gjë erdhi gradualisht por, mbaj mend se kam ngulur këmbë shumë gjatë që të më merrte seriozisht trajneri aktual që kam.

Duhet të jemi të qartë për diçka, sepse të gjithë shohin vetëm fasadën. Hoqa dorë nga shumë gjëra për të qenë këtu, por i mora parasysh. Më është dashur të qëndroj larg një jete normale, larg familjes. Për këtë duhet të jesh i përgatitur psikologjikisht. Unë luaj një sport individual. Më mungon edhe shoqëria, pasi kur shkoj në grumbullime, nuk e kam.

Pak para garës i thosha vetes se ky është viti yt. Doja të jepja shpirtin në atë fushë për të arritur qëllimin. Më pushtuan emocionet më të mëdha dhe thosha Luiza, të lutem mos u rrëzo, aq më tepër në pengesën e fundit ujore. Secili ka strategjinë e vet, por unë pata rezultatet më të mira në Europë.

Vrapova prapa që në fillim për të pasur më shumë avantazh dhe vajzat e tjera që vrapuan të më ndiqnin, një vajzë nga Anglia ishte shumë pranë meje. Ajo u lodh shumë në dy xhirot e fundit dhe doli e treta në garë.

E dyta doli një vajzë nga Gjermania. Ndihem më krenare se kurrë. Ishte një garë e gjatë dhe është komentuar shumë. Diçka që kam vënë re është se jam sportistja me moshën më të madhe, për pak muaj mbush 34 vjeç.

Kjo sepse, duke iu rikthyer pyetjes se sa e vështirë është të jesh sportist, për të qenë në këtë nivel tani, më janë dashur më shumë vite se sa vendet e tjera të zhvilluara. Garoj me sportistë me 5 a 8 vite më pak se unë mbi shpatulla. Mua m’u desh kohë më e gjatë se më ka munguar infrastruktura dhe shumë lehtësi të tjera për të qenë në këtë nivel që jam sot.

Gjatë rrugëtimit tuaj, duke u rritur si sportiste, cilat kanë qenë vështirësitë? Cilat do të ishin këto lehtësi që i përmendët, të cilat ju kanë munguar dhe zgjatën kohën tuaj për të arritur rezultatet që kërkonit?

Gjatë rrugëtimit tim, kam pasur shumë momente dobësie, aq shpesh sa kam dashur edhe të heq dorë nga sporti. Megjithatë, tani jam e kënaqur dhe më vjen mirë që jam kthyer në një frymëzim për brezat e rinj, të cilët e kanë pasion sportin.

Edhe pse familja nuk më ka penguar kurrë për asgjë dhe nuk ma ka shprehur asnjëherë mungesën e mundësive, ndonëse ishim 5 fëmijë dhe vite të vështira, para se të shkoja në fakultet, dukej qartë se ishte e pamundur të përballonin shpenzimet e mia. Motra e madhe kishte filluar shkollën e lartë dhe punonte, ndërsa unë nuk mund të punoja, sepse rruga për të qenë sportiste nuk të lejon të bësh punë tjetër, duhet shumë stërvitje.

Ndërkohë që vetëm një palë atlete me thumba, për vrap, kushtonin rreth 150 dollarë. Tani jam e shpërblyer financiarisht, edhe për kampionate të ndryshme, rekorde kombëtare etj. Por, rruga deri këtu ka qenë e vështirë.

Në Shqipëri ka pak ndryshime pozitive vitet e fundit, por nuk ka financime për sportistët në rritje, për grumbullimet, ushqimin, dietën që duhet, pajisjet, veshjet sportive. Mendoj se është më mirë që të rriten këto dhe të ulet shpërblimi për rekordet kombëtare. Sepse, si do të arrijë rekorde një sportist që i mungon baza? Këtë duhet ta kemi shumë në konsideratë.

Cilat janë format e shpërblimeve financiare për arritjet sportive apo mbështetja e sportistëve gjatë rrugëtimit nga shteti shqiptar?

Unë dhe shumë sportistë të tjerë, kemi financuar veten për të arritur diku. Siç e përmenda më parë, pajisjet si atlete, veshjet që kushtojnë, janë të domosdoshme. Dieta e pasur ushqimore, suplementet.

Në raste stërvitje e grumbullime – udhëtimi, hoteli, kanë kosto shumë të lartë. Në stinën e dimrit, ne na duhet të stërvitemi në Kenia, për shkak të motit. Kur shkova për herë të parë, e kisha shumë të vështirë financiarisht. Gjatë rrugëtimit sportiv, ka shumë strese lidhur me financat, për të cilat shpesh duhej gjetur zgjidhje nga vetë sportisti, në vend që ai të fokusohet vetëm te sporti i tij, siç ndodh në çdo vend të zhvilluar.

Ne na mungon një mjek, që të jetë i dedikuar për atletët. Shpesh duhet të konsultohemi në rast se kemi një virozë, apo diçka tjetër, sepse duhet të jemi shumë të kujdesshëm se mos medikamenti që përdorim mund të ndikojë në rezultatet e dopingut. Është shpesh e paimagjinueshme nga jashtë se si ndahet jeta jonë: Viti ndahet në periudha stërvitjesh, garash dhe rikuperimi dhe ka periudha kur stërvitemi deri në 6-7 orë në ditë.

Dhe pas gjithë këtyre, vijnë shpërblimet, janë të mira, ato kombëtare nisin nga 300 mijë lekë, më të favorshme për kompeticione ballkanike, ashtu sikurse e keni mësuar të gjithë që për garën në Europë, shpërblimi ishte 200 mln lekë.

Por për t’i arritur këto, ka aq shumë punë, lodhje e strese financiare. Megjithatë nuk dua të dekurajoj të rinjtë, përkundrazi t’i frymëzoj. Dhe të nxis politikëbërësit që të shtrojnë rrugën e sportistit drejt rekordeve të mëdha. Ai duhet ndihmuar që të arrijë atje, në të gjitha fushat e sportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat