Mimoza Kusari i kthehet atletikës, sprovon veten në maratonë dhe tregon se ka cilësi për këtë sport

Atletika

Mimoza Kusari i kthehet atletikës, sprovon veten në maratonë dhe tregon se ka cilësi për këtë sport

Nga: K. Goca Më: 27 mars 2025 Në ora: 15:28
Mimoza Kusari

Deputetja e Kosovës, Mimoza Kusari, i rikthehet shtrigjeve të gjata të atletikës. 

Ajo së fundi ka marrë pjesë në maratonën e Valetës në Maltë. 

Kusari ka dëshmuar se ka cilësi edhe për mbretëreshën e sportit.

Image

Duhet kujtuar se Kusari ka vite që vrapon dhe është e mishëruar pas sportit të atletikës.

Kusari vazhdimisht stërvitet me përkushtim dhe gjithmonë për të arritur nivelin e shpejtësisë.

Image

Mimoza Kusari në mes

Gara e Valetës e ka emocionuar së tepërmi dhe ka një mesazh tejet domethënë. 

“Një fitore e shëndetit mbi sëmundjen dhe një arritje e paharrueshme personale!

Image

Katër muaj pas operacionit nga kanceri i gjirit, realizova një tjetër sfidë të rëndësishme: vrapova gjysmë maratonën e Valetës, në Maltë!

Një garë që më vuri në provë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, me terrenin e saj kodrinor, ngritjet dhe zbritjet që tejkalonin pritshmëritë, rigat e shiut që na befasuan për pak çaste dhe erën që na shoqëroi gjatë pjesës më të madhe të rrugës. 

Image

Megjithatë, asgjë nuk mund të errësonte magjinë e këtij vrapimi, mes peizazhit mahnitës të ishullit me gjysmë milion banorë dhe tri komunave që përshkuam përgjatë 21 kilometrave të garës.

Ndonëse një dhimbje në gju, e shfaqur gjatë ushtrimeve të fundit, më shoqëroi gjatë vrapimit, as ajo dhe as presioni i rikthimit në garë nuk mundën të më ndalonin. Përfundimi i kësaj gare ishte një tjetër dëshmi se sfidat janë aty për t’u kapërcyer dhe se fuqia e vullnetit është çelësi i suksesit.

Sllogani im për këtë gjysmë maratonë ishte “Cancer Buster in Action”, ose në shqip, “Shkatërruesi i kancerit në aksion”—një mesazh personal, por edhe një thirrje për të gjithë ata që përballen me këtë sfidë, duke i inkurajuar të mos dorëzohen dhe të besojnë në forcën e tyre.

E për të bërë garën edhe më të veçantë, qershia mbi tortë ishte suksesi i kampionit të atletikës, Tirron Mamusha, i cili u rendit i dyti në kategorinë 10K me kohën mbresëlënëse 34 minuta e 14 sekonda!

Faleminderit ekipit të mrekullueshëm Green Team për mbështetjen dhe këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm së bashku! Arbeni, Bujari dhe Festa, përveq Tirron kampionit, vrapuan 21 Km dhe përfunduan me sukses”, ka shkruar ditë më parë Mimoza Kusari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat