Abdi thyen rekordin belg në gjysmëmaratonë

Atletika

Abdi thyen rekordin belg në gjysmëmaratonë

Nga: K.G. Më: 8 mars 2026 Në ora: 20:22
Bashir Abdi

Dy herë medalisti olimpik në maratonë, atleti Bashir Abdi, theu rekordin belg në gjysmëmaratonë në qytetin e tij të lindjes, Gent, të dielën.

Pas një sezoni të vitit 2025 të mbushur me lëndime, Abdi u rikthye në formën e tij më të mirë duke fituar garën që tashmë mban emrin e tij – Runner’s Lab Bashir’s Run – me kohën 59 minuta e 28 sekonda, duke triumfuar i vetëm.

Abdi u shkëput nga rivalët që në kilometrin e gjashtë, duke fituar me epërsi ndaj kenianit Brian Kipchumba (60:00), ndërsa në vendin e tretë u rendit bashkëkombësi i tij Robin Hendrix (60:23).

Me këtë rezultat, ai përmirësoi rekordin kombëtar belg për 23 sekonda.

“E dija se kisha stërvitur mirë, por ishte shumë ftohtë dhe nuk po arrija të ngrohesha. Ishte një tronditje për trupin tim, sepse vija nga një kamp stërvitor në Etiopi ku temperatura ishte rreth 30 gradë”, - tha Abdi.

Ai ishte kufizuar në vetëm dy gara gjatë vitit 2025 për shkak të një dëmtimi në këmbë, por 37-vjeçari po rikthehet në nivelin që e çoi në podium në maratonë në Lojërat Olimpike të vitit 2020 dhe 2024.

Qëllimi kryesor i Abdit për sezonin pranveror të garave rrugore është Maratona e Roterdamit më 12 prill, gara në të cilën ai vendosi rekordin evropian të maratonës me kohën 2:03:36 në vitin 2021.

Ai nuk e ka fshehur se një nga objektivat kryesore në vitet e fundit të karrierës së tij është përmirësimi i këtij rekordi evropian.

“Mendoj se shumë atletë po i afrohen atij rekordi. Nëse dua ta mbaj edhe për disa vite, duhet të vrapoj më shpejt. Nuk e di nëse do të ndodhë në këtë edicion apo në një tjetër, por ambicia ime është ta thyej sërish rekordin evropian,” përfundoi Abdi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat