"Prishtina Trails 2026" këtë fundjavë, 500 vrapues në Gërmi nga 10 dhe 48 kilometra

Atletika

"Prishtina Trails 2026" këtë fundjavë, 500 vrapues në Gërmi nga 10 dhe 48 kilometra

Më: 9 maj 2026 Në ora: 17:21
"Prishtina Trails 2026"

Organizimi i "Prishtina Trails" këtë vit pritet të sjellë një ngjarje të jashtëzakonshme në Parkun e Gërmisë.

Bashkëorganizatori i saj, Veton Zagi, bëri të ditura për KosovaPress detajet e garës që do të mbahet këtë fundjavë, më 9 dhe 10 maj.

E shtuna i kushtohet vrapimit për fëmijë, ndërsa e diela do të jetë dita e sfidave të mëdha për të rriturit, me distanca nga 10 km deri në ultra-vrapimin prej 48 km.

Pjesëmarrja e këtij viti dëshmon rritjen e interesit për vrapimin trail në Kosovë. Sipas organizatorëve, numri I përgjithshëm i vrapuesve ka arritur në 500.

Distanca 10 km mbetet më e popullarizuara për fillestarët, ndërsa ajo 23 km po kthehet në një sfidë të preferuar për shkak të bukurisë natyrore.

Zagi: Sivjet kemi gjithsej 500 vrapues

"Në total sivjet kemi 500 vrapues. Më së shumti ka të regjistruar në distancën e shkurtër 10 km, sepse u ofron njerëzve një hyrje në 'trail running'. Në distancën 23 kilometra kemi mbi 170 vrapues, që është një numër shumë i madh. Shtegu është fantastik, kalon nëpër pjesët më të bukura të Gërmisë dhe terreni është i mbuluar nga gjelbërimi i dy javëve të fundit. Bashkë me 50 vrapuesit e distancës ultra, numri total shkon në 500 pjesëmarrës", tha ai.

Për herë të parë në këtë edicion, vëmendja kryesore është te distanca ultra prej 48 km, e cila nis në orën 6:00 të mëngjesit. Zagi shpjegon se kjo distancë është dizajnuar për të prekur çdo shteg kryesor brenda dhe rreth Gërmisë, duke ofruar një larmi terrenesh që testojnë limitet e vrapuesve.

Zagi: Ka edhe pjesëmarrës të rinj nga jashtë Kosovës.

"Gërmia ofron një larmi të terrenve, vështirësive dhe ambientit ku i çon vrapuesit, kështu që jemi munduar t’i prekim të gjitha shtigjet kryesore për të mbërritur distancën prej 48 km. Në profilin e vrapimit malor, kjo karakterizohet si ultra-distancë dhe është më e vështira. Janë regjistruar mbi 50 vrapues në këtë kategori dhe presim një garë shumë të fortë, si nga vendorët që zakonisht e kanë dominuar këtë garë, ashtu edhe nga disa pjesëmarrës të rinj nga jashtë Kosovës," u shpreh Zaiqi.

Zagi thekson se kjo garë nuk është vetëm sportive, por edhe një platformë ndërgjegjësimi, duke qenë bashkëorganizator me iniciativën globale "Ëings for Life".

Ky bashkëpunim synon mbledhjen e fondeve për kërkime shkencore-mjekësore, duke ndihmuar personat me lëndime të shtyllës kurrizore për të rritur mobilitetin e tyre.

Zagi: Kjo garë bëhet për ata që nuk munden të vrapojnë

"Klubi ynë 'X-Trailers' ka pasur vazhdimisht bashkëpunime që kontribuojnë në masovizimin e pjesëmarrjes në natyrë. 'Wings for Life' mbahet për disa herë në Kosovë; vitin e kaluar filluam bashkëpunimin duke ndarë logjistikën tonë. Kjo garë bëhet për ata që nuk munden të vrapojnë, për të ngritur fonde për kërkim shkencor mjekësor. Ky vrapim është rekreacional dhe vetëdijësues; jemi shumë krenarë që Kosova bashkëpunon me një organizatë të tillë," tha Zaiqi.

Për organizatorët, mbrojtja e ambientit është po aq e rëndësishme sa sporti. Zagi bëri thirrje për institucionet që të ndalojnë përgjithmonë qarkullimin e makinave brenda parkut, duke përdorur slloganin e gares "Gërmia pa kere" si një mjet lobimi.

Zagi: Nuk ka më kuptim që në vitin 2026 të futen veturat në park.

"Jemi të detyruar ta ndalim qarkullimin e veturave pasi pjesa e poshtme shfrytëzohet në ora 13:00 për qindra pjesëmarrësit e 'Wings for Life'. Si klub 'X-Trailers', në bashkëpunim me klubet tjera dhe shoqatat mjedisore, jemi duke lobuar që veturat të ndalohen përgjithmonë. Nuk ka më kuptim që në vitin 2026 të futen veturat në park; nuk është pistë garash dhe ambient i zhurmës së motorësh. Ka ardhur koha të ofrohen mjete alternative transporti dhe natyra të shijohet në qetësi," theksoi ai.

Zagi ndau një mesazh inspirues për të gjithë ata që do t’i ngjiten malit për herë të parë, duke vënë theksin te ndjenja e përmbushjes që sjell përfundimi i një gare të tillë.

Zagi: Vetë prezenca në natyrë të ofron një ndjenjë të papërshkrueshme

"Marrja pjesë në një garë mali është një betejë që secili e ka ndaj vetes. Fillimisht mendon a mund ta përfundosh, pastaj fillon të mendosh për kohën dhe shpejtësinë. Vetë prezenca në natyrë të ofron një ndjenjë të papërshkrueshme, e cila kulmon me një finish të suksesshëm. Kur njerëzit shpërblehen me medaljen e përfundimit, ajo do t’u kujtojë gjithmonë arritjen e tyre," përfundoi Veton Zaiqi.

Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm për rritjen e kulturës sportive dhe vetëdijesimit mjedisor në Kosovë, duke e shndërruar Parkun e Gërmisë në një qendër të vrapimit malor dhe solidaritetit ndërkombëtar. "Prishtina Trails 2026" nuk është vetëm një garë, por një festë e sportit që bashkon komunitetin rreth vlerave të shëndetit dhe mbrojtjes së ambientit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat