Schilder realizon hedhjen më të madhe te femrat që nga viti 2012

Atletika

Schilder realizon hedhjen më të madhe te femrat që nga viti 2012

Nga: K.G. Më: 17 maj 2026 Në ora: 15:58
Jessica Schilder

Jessica Schilder, kampione bote dhe dy herë kampione e Evropës, ka bërë një nisje senzacionale të sezonit në ambient të hapur, duke realizuar hedhjen më të largët në disiplinën e gjyles për femra në botë që nga viti 2012.

Atletja holandeze triumfoi në garën e Diamond League në Keqiao, me një hedhje brilante prej 21.09 metrash në tentimin e pestë.

Ishte hera e parë që ajo kaloi kufirin e 21 metrave dhe hedhja më e largët në këtë disiplinë që kur Valerie Adams kishte realizuar 21.11 metra në Luzern më 2012.

Po ashtu, Schilder bëhet atletja e parë që i bashkohet “klubit të 21 metrave” që nga viti 2009.
Kjo ishte edhe hedhja më e largët nga një atlete evropiane që nga viti 2005.

Për më tepër, rezultati ishte rekord i Diamond League, rekord i mitingut, rezultati më i mirë në botë për këtë vit dhe përmirësoi rekordin e saj kombëtar me plot 40 centimetra.

Deri te hedhja rekord, ajo kishte qenë solide, por jo spektakolare, me rezultatet 19.66 metra, 19.53 m, 19.78 m dhe 19.90 m. Më pas erdhi momenti magjik.

Duke folur pasi iu bashkua klubit të 21 metrave, Schilder tha:

“Nuk mund ta kuptoj ende. Është diçka shumë e madhe, është e çmendur”.

Ajo shtoi: “Gara e parë e sezonit është gjithmonë e rëndësishme për mua; zakonisht e kam të vështirë.

Hedhjet e para nuk na kënaqën mua dhe trajnerin, ndaj u përpoqëm të ndryshonim disa gjëra.

Provuan metoda të ndryshme dhe më në fund funksionoi.

Trajneri im flet shumë dhe ne duhet t’i filtrojmë gjërat, por për sa kohë ai vazhdon të flasë, unë jam e lumtur dhe do ta gjej zgjidhjen”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat