Italia ka shpallur ekipin rekord prej 132 atletësh për Kampionatin Evropian të Atletikës Birmingham 2026, që do të mbahet nga 10 deri më 16 gusht.
Ky është ekipi më i madh që Italia ka dërguar ndonjëherë në një kampionat, duke kaluar rekordin prej 116 atletësh në Evropianin e Romës më 2024, ku italianët kryesuan tabelën e medaljeve me 11 medalje të arta.
Në përbërje janë tetë nga nëntë kampionët individualë evropianë të vitit 2024.
Sprinteri Marcell Jacobs synon titullin e tretë radhazi në 100 metra, ndërsa Nadia Battocletti do të mbrojë titujt në garat 5.000 dhe 10.000 metra.
Në disiplinat e hedhjeve dhe kërcimeve rikthehet pas lëndimit kampioni i trefishtë i kërcimit së larti Gianmarco Tamberi, ndërsa Leonardo Fabbri dhe Sara Fantini do të synojnë mbrojtjen e titujve të tyre.
Kampionia olimpike Antonella Palmisano do të garojë në gjysmëmaratonën e ecjes, ndërsa kampioni evropian i gjysmëmaratonës Yemaneberhan Crippa ka zgjedhur garën e 10.000 metrave në vend të maratonës.
Mungesa më e madhe është kampioni evropian i 110 metrave me pengesa, Lorenzo Simonelli, i cili nuk është përfshirë në ekip për shkak të një lëndimi.
Në listë janë edhe emra të njohur si kampioni i botës në kërcim së gjati Mattia Furlani, kampioni i botës në sallë dhe lideri botëror i vitit 2026 në kërcim trefish Andy Diaz Hernandez, kampionia evropiane në sallë Larissa Iapichino etj. Italia do të marrë pjesë edhe në të gjashtë garat stafetore, përfshirë stafetën 4x100 metra për meshkuj, ku mbron titullin evropian.
Atleti më me përvojë i ekipit është Daniele Meucci, 40 vjeç, i cili do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të atletikës për herë të tetë.