Afrim Majanci: Kjo ishte arsyeja që Xhevdet Peci shkoi në Amerikë

Boksi

Afrim Majanci: Kjo ishte arsyeja që Xhevdet Peci shkoi në Amerikë

Nga: Kemajl Goca Më: 10 maj 2022 Në ora: 16:41
Xhevdet Peci e Afrim Majanci

Legjenda e boksit Afrim Majanci, është thellë i pikëlluar që mbeti pa kolegun e gjeneratës së artë, mikun më të mirë, legjendën e boksit Xhevdet Peci.

Majanci është i tronditur me vdekjen papritur të Xhevdet Pecit. 

Ish boksieri i gjeneratës së artë të Prishtinës, pesë herë kampion i ish Jugosllavisë, thotë se Xhevdet Peci u largua për një arsye nga Kosova.

 “Na shkoi një legjendë, që të gjithë u mburrëm dhe mburrem me sukseset e tija. 

Xhevdet Peci për një arsye u largua nga Kosova. Ai shkoi për mbijetesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka shku prej qejfi.

Me një pension 100 euro, mos t’i them pension por shumë sociale, nuk mund të jetohet as të mendohet në atë drejtim.

Kur po na shkojnë legjendat, po i qajmë për së vdekuri, atëherë është vonë”, thotë Majanci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Majanci i bën apel Qeverisë që të bëjë sa më shumë për sportistët, të rregullojë statusin e sportistëve me rezultate kulmore. 

“I bëj apel Qeverisë, që ta rregullojë statusin e sportistëve të merituar, me rezultate kulmore. 

Kryeministri Kurti të merr masa që t’i rregullojë statusin e sportistëve me rezultate kulmore, pasi që qeveritë e tjera as që janë marrë me këtë punë për dallim kur ishte zëvendësministër në MKRS, Arbër Grabovci. 

I vetmi është Arbëri që u munduar në këtë drejtim. Sot popullata na pyesin çdo herë që iu jepet rasti: Pse ju sportistët e merituar ende jeni pa status të merituar në bazë të rezultateve”, tregon Majanci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat